Kurti: Formimi i institucioneve të reja nuk duhet të vonohet

16:53 | 24 Korrik 2026
E H

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës, duke theksuar se partitë politike kanë përgjegjësi të përbashkët për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e Qeverisë dhe presidentit të ri të vendit.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti mirëpriti caktimin e datës së seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Ai tha se pas zgjedhjeve të 7 qershorit, partitë politike duhet të përmbushin obligimet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja.

“Kemi dy javë më së shumti deri te fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit, para se të kalojmë te zgjedhja e Qeverisë së re dhe më pas edhe e presidentit ose presidentes. Për legjislaturën dhe ekzekutivin e ri nevojitet shumica e thjeshtë, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve, prandaj përgjegjësia e tejkalon një parti politike”, deklaroi Kurti.

Ai kujtoi se më 10 korrik kishte zhvilluar takime konsultative me drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa shprehu keqardhje që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e kishte pranuar ftesën për takim.

Në fjalën e tij, Kurti foli edhe për largimin e pjesëtarëve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022, duke e cilësuar atë si një veprim të organizuar politikisht dhe sabotues ndaj institucioneve të shtetit.

Sipas tij, kthimi i tyre në institucione nuk mund të bëhet përmes vendimeve politike, por vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ai tha se Policia e Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës tashmë kanë trajtuar këtë çështje, ndërsa pret që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ta përmbyllë procedurën në mbledhjen e ardhshme.

Kurti u drejtua edhe mërgatës, duke i uruar mirëseardhje në Kosovë gjatë sezonit veror dhe duke theksuar se ardhja e tyre ka gjallëruar jetën ekonomike dhe shoqërore në vend.

Në fund, ai shprehu shqetësim për numrin e aksidenteve me pasoja fatale në komunikacion, duke u bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e trafikut dhe Policisë së Kosovës të shtojë kontrollet për të parandaluar shkeljet që mund të çojnë në aksidente.