Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot morën pjesë në ceremoninë e lansimit të Parakualifikimit për Projektin e Ruajtjes së Energjisë përmes Baterive, të cilat do të vendosen në qytetet Ferizaj dhe Istog.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti deklaroi se përtej inovacionit që sjellin, projektet e baterive do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm, përfshirë stabilizimin e sistemit elektroenergjetik të vendit dhe uljen e kostos së importit të energjisë, rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji për amvisëritë dhe bizneset, si dhe hapjen e rrugës për integrim të mëtejshëm të energjisë nga burimet e ripërtëritshme si era, uji dhe dielli.
“125 MW të këtij sistemi do të operojnë nën Korporatën për Ruajtjen e Energjisë dhe 45 MW të tjera nën KOSTT-in që do të përdoret për balancim të rrjetit – të dyja këto ndërmarrje publike, të dyja në shërbim të vendit e të qytetarëve”, tha ai.
Tutje, veçoi rëndësinë e Instrumentit të Katalizatorit Amerikan për Zhvillim në kuadër të Programit Kompakt, i cili hap rrugën për financimin e projekteve që përqafojnë ekonominë e gjelbër dhe inovacionin. Programi Kompakt, i cili është financuar me 202 milionë dollarë nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe 34.7 milionë dollarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfaqëson një investim të madh në pavarësinë tonë energjetike dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.
“Ky është një moment i rëndësishëm për bizneset dhe sipërmarrësit tanë, një thirrje për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ndërtimit të një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të fuqishme për Kosovën”, tha kryeministri Kurti.
Ai shprehu edhe falënderimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen dhe besimin e tyre në vizionin e Qeverisë për një sektor energjetik të qëndrueshëm dhe konkurrues.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se “Rruga jonë drejt tranzicionit energjetik të vendit është e qartë. Diversifikimi i burimeve të energjisë së pastër dhe rritja e kapaciteteve për ruajtje dhe furnizim të energjisë, së bashku me decentralizimin e rrjetit dhe kapaciteteve në menaxhimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet, do të mundësohen përmes programit Kompakt dhe sistemit të Baterive. Furnizimi i sigurt me energji, kostot më të përshtatshme së bashku me uljen e ndikimit në mjedis, janë edhe synim i strategjisë kombëtare për Energji dhe veprim i vazhdueshëm i politikave të qeverisjes sonë”./Arbresh.info



Paralajmërimi i ambasadës së SHBA-së, MIA: S’ka informacione...
“Do ngremë kompaninë publike për naftën”, Rama: Do të futemi...
48-vjeçari shqiptar dënohet me 25 vjet burg për trafikim dro...
Oferta të ndryshme për Lewandowskin, ndër to edhe Barça
Furnizoi me naftë avionët amerikanë, Irani paralajmëron Bull...
Familjarët mbushin gjykatën në Greqi për tragjedinë e rëndë ...