Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se ka emëruar Agron Limanin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, detyrë që deri më tani është ushtruar nga ministri në detyrë, Andin Hoti.
Përmes një postimi, Kurti tha se me Limanin njihet prej më shumë se dy dekadash, duke kujtuar angazhimin e përbashkët në iniciativa për kërkimin e drejtësisë për krimet e luftës.
Sipas Kurtit, Limani është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë”, që trajton masakrën e Krushës së Vogël dhe që, sipas tij, është përdorur si dëshmi nga institucionet e drejtësisë në rastin ku është dënuar Darko Tasiç.
Kryeministri në detyrë theksoi se Limani është ish-ushtar i UÇK-së dhe familja e tij është prekur rëndë nga lufta. Vëllai i tij është vrarë, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij vazhdojnë të figurojnë në mesin e personave të zhdukur nga masakra e Krushës së Vogël.
Kurti shtoi se Limani, me profesion inxhinier i elektroteknikës, ka drejtuar më parë edhe Shoqatën për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”, si dhe ka shërbyer si drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit.
Duke folur për çështjen e personave të zhdukur, Kurti tha se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për zbardhjen e fatit të secilit person të zhdukur me dhunë gjatë luftës, pavarësisht, siç u shpreh ai, pengesave dhe sabotimit të vazhdueshëm nga Serbia.
Ai vlerësoi se gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë rezultat i punës së institucioneve të Kosovës, ndërsa përsëriti thirrjen ndaj bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Serbinë për zbatimin e Deklaratës së 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë, veçanërisht për hapjen e arkivave të forcave serbe, përfshirë arkivin e Brigadës së Motorizuar 37 të ish-Ushtrisë Jugosllave./Arbresh.info
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...
Pesë persona arrestohen pas sekuestrimit të armëve në rajoni...
“Nëna Salë dhe gjyshi Hamit të krijuar në copa letre”, i riu...
Pas Uellsit edhe Federata e Futbollit gati për t’i hequr mbë...