Kurti ka deklaruar se vendosmëria e opozitës në muajt e fundit përballë pushtetit ka dhënë rezultate, njofton Klan Kosova.
“Vullneti jonë vendosmëria jonë ka dhënë rezultate. Njerëzve ju ka ardhë shpirti te hunda e thika në asht. Numri i njerëzve që reagojnë është shumë më i madh”.
“Në kohëra hipokrizie rezistenca duket dhunë. Pesë vjet burg i kemi mbajtur për gjashtë muaj, për shkelje miliardësh këta asnjë ditë në burg nuk po e mbajnë”.
Deputeti i Vetëvendosjes nuk është pajtuar aspak me portretizimin që i bëhet subjektit që përfaqëson, ndërsa nuk ka ngurruar të dënojë dhunën, por pa harruar që në po të njëjtën fjalin të dënojë edhe shkaqet e saj.
“Portretizimi që na bëhet neve bëhet sepse ata kishin një plan karshi neve. Është e vërtetë që kam shkuar në sheshin “Adem Jashari””.
“Unë e pranoj një gjë, mollotovi është i papranueshëm, dhuna është e papranueshme por edhe dënimi pa arsye i dhunës është i papranueshëm”.
“Besoni që ai që gjuan gurë para autoblindës e ka jetën e rrezikume, le ta trajtojmë edhe anën sociologjike, kulturore të fenomenit sepse nuk mund ta sqarojmë pa i marrë për bazë edhe këta faktorë”.
Kurti po ashtu ka thënë se pas arrestimit të Abazit ai ka biseduar me Ambasadorin e Shqipërisë Qemal Minxhozi, i cili ka thënë se në fillim ka pasur përshtypjen që gjithçka është duke u ekzagjeruar, njofton Klan Kosova.
“Unë nuk i kam telefonuar Ramës e as Ditmir Bushatit, kryetari Visar Ymeri i ka shkruar mesazh Ditmir Bushatit, por s’ka marr përgjigje nga Bushati”.
“Unë i kam telefonuar ambasadorit Minxhozi dhe sekretarit të ambasadës, në fillim mendonin se po e ekzagjeroj i kam thënë shkoni se ose do e arrestojnë ose do e deportojnë në Shqipëri”.
Ai ka deklaruar se persona të rrezikshëm për sigurinë e vendit vijnë në Kosovë dhe nuk deportohen kurrë, për ta argumentuar më tutje bindjen e tij se “pushteti është në panik”.
“Në Kosovë vjen Vuçiqi që është rrezik për Kosovën, vjen Gjuriqi, vijnë persona që janë nën hetime ata janë të rrezikshëm për sigurinë në Kosovë dhe askush nga Kosova nuk i shpall persona non-grata apo nuk i deporton”.
“Kemi një pushtet në panik, që në njërën anë liron aktivistë e arreston të tjerë”.
