Kurti: 27 vite më parë, filloi shembja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë

11:06 | 9 Prill 2026
Q L

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se si sot, 27 vite më parë, filluan luftimet e Betejës së Koshares, me qëllim shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, që prej dekadash i ndante dhunshëm shqiptarët mes tyre.

“Më 9 prill 1999, në mëngjes herët, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mësyen mbi pozicionet ushtarake të Serbisë në brezin kufitar mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke sulmuar mbi bazën “7 korriku”, Rrasën e Koshares dhe majen Gllava. Nga ajo ditë, deri më 10 qershor, për dy muaj të plotë rresht, mijëra pjesëtarë të UÇK-së do të përfshiheshin në luftimet e Betejës së Koshares, në një territor të shtrirë prej disa kilometrash dhe në një reliev të thyer malor e kodrinor”, tha Kurti.

Sipas tij, Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dhe vazhdoi deri në ditën e fundit të kësaj fushate. Gjatë atyre ditëve, një ushtri çlirimtare dhe gjithëkombëtare vullnetarësh siç ishte UÇK-ja, u kthye në një aleate të aleancës më të madhe ushtarake të botës, NATO-s, që së bashku i ndaluan fushatat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit që Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit po i kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Ndër luftime të ashpra gjatë Betejës së Koshares, 114 luftëtarë të UÇK-së ranë dëshmorë duke luftuar për çlirimin e Kosovës, teksa mbi 400 të tjerë u plagosën. Në anën kundërshtare, pala serbe asnjëherë nuk do t’i publikonte të plota të dhënat e humbjeve të turpshme prej kësaj beteje, por mbi 100 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave mbetën të vrarë kurse shumëfishi i numrit të tyre u plagosën. Çdo pranverë, i kujtojmë me mirënjohje dhe nderime të gjithë luftëtarët e UÇK-së që morën pjesë me guxim në Betejën e Koshares, duke dhënë djersë, mund dhe gjak për atdheun tonë dhe lirinë e popullit. Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, sot e përmot!”, ka shkruar Kurti në Facebook’.

 

Shpërndaje në rrjete sociale