Ku ka mbetur padia kundër Carla Del Ponte dhe Dick Marty? Flet avokati Gashi

18:28 | 1 Janar 2022
F.T

Shkruan: Arditë Shkodra

Muaj më parë u bë e ditur se familja Katuçi nga Shqipëria, që janë pronarë i të ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë”, kanë autorizuar Tomë Gashin për të përgatitur kallëzim penal kundër senatorit zviceran Dick Marty.

Këtë e pati bërë të ditur vetë Tomë Gashi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Kurse tani, avokati Tomë Gashi në një intervistë për arbresh.info ka dhënë disa detaje dhe ka treguar për autorizimin e familjes Katuçi nga Shqipëria, për ta paditur Carla del Ponte, Dick Marty dhe Jose Pablo Barybar.

“Unë jam avokat i familjes Katuçi nga Shqipëria, të ashtuquajturës ‘Shtëpia e Verdhë’, dhe unë kam autorizim për ta paditur edhe Carla Del Ponte edhe Dick Marty edhe Jose Pablo Baraybar”, thotë Gashi.

Mirëpo për ta bërë këtë, ai thotë, se fillimisht duhet të sigurojë raportin e prokurorit amerikan Clint Williamson, i cili edhe e demantoi raportin e Dick Marty.

“Paraprakisht duhet të sigurojë raportin e plotë të prokurorit amerikan, Clint Williamson,  i cili demantoi raportin e Dick Marty-it meqenëse kurrë nuk është vërtetuar se kinse kanë kryer trafikim me organe njerëzore pjesëtarët e UÇK-së gjatë luftës”, shprehet Gashi.

Gashti tregon se këtë raport e ka kërkuar edhe nga prokuroria edhe nga shefet e grupeve parlamentare të PDK-së e LDK-së, si dhe nga sekretari i Kuvendit të Kosovës, mirëpo deri më tani këtë raport siç shihet nuk e ka askush.

“Unë kam kërkuar nga prokuroria jonë raportin e prokurorit amerikan Williamson, por nuk e kanë, kam përgjigje me shkrim. Unë kam kërkuar nga grupet parlamentare të PDK-së dhe të LDK-së dhe nuk e kanë. Pastaj kam kërkuar nga sekretari i Kuvendit të Kosovës dhe më në fund e kam marrë përgjigjen, përgjigja është skandaloze por prapë se prapë e kemi përgjigjen që as në kohën e votimit të ligjit për Specialen, këta nuk e kanë pasur raportin e prokurorit Williamson dhe nuk e kanë as tani”, u shpreh Gashi ndër të tjera./ArditëShkodra/arbresh.info/