Kryetari i gjykatës sqarohet për banesat në “Dardani”

18:42 | 29 Shtator 2016
M. A.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi ka mbajtur sot një konferencë për media, për të sqaruar çështjen e banorëve të larguar nga banesat e uzurpuara në lagjen “Dardania” të kryeqytetit.

Ibrahimi tha se ka pranuar një kërkesë nga një grup qytetarësh të larguar ditë më parë nga banesat,  ku i është kërkuar  që të ta ndërpresë procedurën e ekzekutimit dhe t’iu lejohet  qëndrimi në këto banesa edhe për një vit.

Ai thotë se  u ka qartësuar banorëve se një kërkesë e tillë, nuk është kompetencë e tij dhe gjykatës që ai drejton,  duke shtuar se ai mund të përballet me përgjegjësi penale nëse nuk ekzekuton vendimet e formës së prerë.

“Kërkesa e tyre anonime ka qenë që unë si zyrtar i kësaj gjykate të ndërprej procedurën e ekzekutimit dhe të iu lejoj që për 1 vit të qëndrojnë në këto banesa, normalisht unë nuk e kam atë të drejtë, sepse kryetari i gjykatës mban përgjegjësi penale nëse nuk ekzekuton vendimet e formës së prerë”, tha Ibrahimi.

Kryetari i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi  i ka cilësuar deklarata të pamatura, komentet e kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili tha se kryetari i gjykatës nuk po e zbaton vendimin.

“Dje ka pas shumë deklarata që mund të jena më shumë të  pamatura sepse tendencioze s’mund të thuhet nga një pozitë shumë të lartë, të një personi që mban pozitë shumë të lartë dhe ky është kryetari i komunës së Prishtinës.. Publikisht dal e them se gjykata po vepron sipas vendimit dhe se nuk ka kthim mbrapa. Nuk e di se çka i duhet atij që del dhe  thotë se kryetari i gjykatës nuk po e zbaton vendimin, unë sinqerisht nuk e kuptoj ne nuk jemi pjese e lojërave politike, gjykata është jashtë atyre lojërave që  mund të jenë dhe kjo sjellje e tij është e papranueshme, dhe në një farë mënyre  tregon se sa vështirë e kanë gjykatat në Kosovë që të veprojnë dhe ta kryejnë punën e vet si duhet, tha Ibrahimi.

Shpërndaje në rrjete sociale