Krimet e luftës, Policia dhe Prokuroria Speciale u bëjnë thirrje qytetarëve të raportojnë dëshmitë

17:06 | 24 Korrik 2026
E H

Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës është institucioni i vetëm kompetent brenda Policisë për pranimin, verifikimin, hetimin penal dhe procedimin e të gjitha informacioneve që lidhen me krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999.

Sipas njoftimit, drejtoria vepron në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, konkretisht Departamentin për Krime të Luftës, dhe trajton të gjitha informacionet relevante pavarësisht burimit të tyre.

Policia bën të ditur se në kuadër të mandatit të saj shqyrtohen informacionet e siguruara nga qytetarët, institucionet, organizatat, partnerët vendorë e ndërkombëtarë, si dhe të dhënat e identifikuara nga burime të hapura dhe publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ky reagim vjen pas publikimeve të fundit në media lidhur me trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Policia thekson se adresa zyrtare për paraqitjen e çdo informacioni, prove apo të dhëne që lidhet me këto raste mbetet Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale u kanë bërë thirrje qytetarëve, dëshmitarëve, viktimave, familjarëve të tyre, si dhe çdo personi që posedon informacione me rëndësi për hetimin e krimeve të luftës, që t’i paraqesin ato pranë institucioneve kompetente.

Sipas njoftimit, institucionet garantojnë trajtim profesional, konfidencialitet dhe zhvillimin e hetimeve në përputhje me standardet ligjore.

Në fund, Policia e Kosovës thekson se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Prokuroria Speciale mbeten të përkushtuara për bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet, me qëllim zbardhjen e krimeve të luftës dhe vendosjen e drejtësisë./Arbresh.info