Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pothuajse ka përfunduar dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka dhënë të dhënat më të fundit për këtë proces, i cili po kryhet nga KQZ përmes operatorit ekonomik.
“Sipas raportit që kemi pranuar, deri më 17 dhjetor 2025 (ora 23:00), nga gjithsej 57,829 dërgesa, 88% e tyre apo 50,611, janë dorëzuar me sukses te votuesit. Nga numri i përgjithshëm i dërgesave, 48,870 (90%) janë dorëzuar te votuesit në shtete të Europës, ndërkaq 2,141 dërgesa (51%) janë dorëzuar te votuesit jashtë Europës,” tha Elezi për Sinjalin.
Ai shtoi se këto statistika do të ishin edhe më të larta nëse do të dorëzoheshin me sukses edhe 1,941 pakot e mbetura, por kjo nuk ka ndodhur për shkak se votuesit nuk ndodheshin në shtëpi.
“Në 1,941 raste, dërgesat nuk janë dorëzuar për shkak se votuesit nuk kanë qenë në shtëpi në momentin e dorëzimit të pakos me fletëvotim. Sipas kontratës, është detyrë e operatorit ekonomik që dorëzimin e zarfit ta kryejë tek adresa e votuesit dhe mund të pranohet vetëm nga votuesit ose familjarët, të cilët e nënshkruajnë pranimin e dërgesës. Po ashtu, sipas kushteve të kontratës, në adresë të një votuesi do të shkohet deri në 3 herë për t’ia dorëzuar pakon me fletëvotim,” tha Elezi.
Ai theksoi se procesi i dërgimit po vazhdon, ndërsa KQZ ka miratuar më herët afatet për përgatitjen, nisjen dhe dërgimin e pakove në adresë të votuesve të regjistruar për votim përmes postës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar afatet për përgatitjen, nisjen dhe dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Këto afate janë pjesë përbërëse e kontratës së arritur me operatorin ekonomik. Sipas planifikimeve, arritja e fletëvotimeve për votuesit në Europë planifikohet të bëhet nga data 16 deri më 18 dhjetor, ndërkaq për votuesit që ndodhen jashtë Europës nga 17 deri më 19 dhjetor,” tha Elezi.
Sipas KQZ-së, për të ofruar mundësi votimi për shtetasit e regjistruar për votim përmes postës, kutitë postare janë funksionale në 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
Policia e Kosovës e arreston një shtetas gjerman të kërkuar ...
Raketa bërthamore ruse Oreshnik dislokohet në Bjellorusi
KOSTT bën thirrje për përdorim të kujdesshëm të energjisë: N...
Arrestohet personi i dytë i dyshuar për vjedhjen e matësve t...
Kurti: Avancimi në GTMI tregon përparimin e Kosovës në shërb...
Presidenti sllovak vjen në Kosovë për të vizituar ushtarët n...