Kosovarët duan djem edhe kur adoptojnë

12:30 | 4 Janar 2021

Braktisja e fëmijëve është fenomen i cili mbetet i pranishëm globalisht e këtu nuk bën përjashtim as Kosova.

Vetëm për nëntë muaj të vitit 2020 janë evidentuar 23 raste të fëmijëve të braktisur.

Ndërkaq, forma e mbrojtjes së përhershme për fëmijët pa kujdes prindëror e të braktisur, në rastet kur kthimi ose kujdesi në familjet e tyre biologjike është i pamundur, mbetet adoptimi.

Magbule Koci, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për “Zërin” ka thënë se në krahasim me vitin 2019, ndonëse në vitin 2020 ende nuk është bërë evidentimi i plotë, në vendin tonë ka më pak fëmijë të braktisur.

“Në bazë të raporteve nga qendrat për punë sociale komunale të vendit, në bazë të raportit nëntëmujor (9) të vitit 2020, janë evidentuar 23 raste të fëmijëve të braktisur. Ndërkaq, në bazë të raportit vjetor të vitit 2019, janë evidentuar 26 raste të fëmijëve të braktisur”, deklaroi Koci.

Për nëntë muaj të vitit 2019, sipas zyrtares së MPMS-së, janë aprovuar vetëm tetë kërkesa për adoptim të fëmijëve, shtatë prej tyre në vend dhe një jashtë Kosovës.

“Gjatë periudhës nëntëmujore (9) të vitit 2020 Paneli ka aprovuar 8 kërkesa për adoptim, prej tyre 7 raste të adoptimit vendor dhe 1 rast të adoptimit jashtë vendit”, tha tutje Koci.

Ajo theksoi se në pritje për adoptim janë vetëm rastet e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe i përkasin moshës 4-15 vjeçe.

“Nga numri i fëmijëve të braktisur që aktualisht janë në përkujdesje institucionale përmes formave të mbrojtjes së përkohshme, fëmijë në pritje për adoptim janë vetëm rastet e fëmijëve me nevoja të veçanta (5 raste), që edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të qendrave për punë sociale komunale për adoptimin vendor të tyre, ende nuk është arritur adoptimi i tyre brenda vendit. Gjithashtu, për këto raste është bërë përpjekje edhe për adoptim jashtë vendit, mirëpo deri më tani pa sukses. Mosha e tyre varion nga 4-15 vjeç”, tha ajo mes të tjerash.

Zyrtarja e MPMS-së, Magbule Koci, tha më tej se në krahasim me vitin 2019, këtë vit pati më pak kërkesa për adoptim të fëmijëve, të cilët gjenden në “SOS Fshatin e Fëmijëve”.

“Sa i përket numrit të adoptimeve, gjatë vitit 2019 Paneli për vendosjen e fëmijëve pa kujdes prindëror në strehim familjar dhe adoptim ka shqyrtuar dhe ka aprovuar 17 kërkesa, prej tyre 15 kërkesa për adoptim vendor, 2 kërkesa për adoptim jashtë vendit. Ndërkaq, siç u përmend edhe më lart, gjatë vitit 2020 (në periudhën nëntëmujore), Paneli ka aprovuar 8 kërkesa për adoptim, prej tyre 7 raste të adoptimit vendor dhe 1 rast të adoptimit jashtë vendit”, theksoi ajo, derisa shtoi se për të bërë një krahasim më real mes vitit 2019 dhe 2020 duhet t’i marrin të dhënat nga raporti vjetor për vitin 2020.

Në Kosovë ka kërkesa më të mëdha për adoptim të fëmijëve djem

E pyetur se për cilën gjini të fëmijëve ka më shumë interesim për adoptim, zyrtarja e MPMS-së Magbule Koci tha se, në bazë të regjistrit, qytetarët e vendit janë të interesuar më shumë për gjininë mashkullore.

“Lidhur me preferencën për gjininë e fëmijëve që familjet e mundshme për adoptim shprehin interesim, në bazë të Regjistrit të lartpërmendur të familjeve të mundshme për adoptim, mund të themi se kërkesat janë për fëmijët e të dy gjinive, mirëpo dominon preferenca për fëmijë djem”, tha ajo.

Sipas sociologut Genc Xërxa, arsyeja e numrit më të lartë të kërkesave për adoptim të fëmijëve të gjinisë mashkullore bëhet për shkak të kontekstit patriarkal.

Në një përgjigje ai tha se ky fakt ndikohet edhe nga emancipimi.

“Kontesti patriarkal mbi trashëgiminë dhe vazhdimin e lozes është koncept që ende është i gjallë te ne, sikurse edhe te shumica e popujve të Ballkanit në vazhdimin e llojit. Varet, nuk është e prerë kjo rregull, se ka çifte që kanë adoptuar edhe vajza, por për shkaqe të lartcekura dominon ende kërkesa mbi gjininë mashkullore. Kjo ndikohet edhe nga emancipimi, dëshira, statusi arsimor e ekonomik i çiftit në fjalë, që nuk ndikohet nga normat patriarkale mbi trashëgiminë dhe vazhdimin e llojit”, tha Xërxa.

Sociologu përmendi edhe arsyet që mund të jenë motive të cilat e çojnë prindin deri te braktisja e fëmijëve të tyre.

“Janë një sërë faktorësh: kushtet ekonomike, mosha e nënës, gjendja e saj në tregun e punës, statusi i saj social e martesor, mund të determinojnë vendimin mbi marrjen e hapit të tillë”, deklaroi Xërxa.

Ndërkaq, ai shtoi se arsyet pse nuk ka pasur ndryshim të mentaliteteve edhe 20 vjet pas luftës për sa i përket gjinisë së fëmijëve janë për faktin se kosovarët nuk i kanë tejkaluar komplekset gjinore.

“Ende ne si shoqëri post-traumatike nuk i kemi tejkaluar sfidat mbi komplekset gjinore dhe atyre mbi familjen dhe ndarjen e punës ose obligimeve domestike, ku barra më e madhe bie mbi nënën dhe rregullativat patriarkale shpesh e ngufatin sensin e arsyeshmërisë drejt zgjidhjes racionale të problemeve”, tha sociologu Xërxa.

Për sa i përket adoptimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, ai tha se shoqëria jonë ende nuk e ka arritur atë stad të zhvillimit.

“Ende nuk e kemi arritur atë stad të zhvillimit të shoqërisë mbi adoptimin e fëmijëve me nevoja të veçanta. Ne po diskutojmë ende mbi preferencat gjinore të adoptuesve e lëre më te rastet e tilla. Këtu hyjnë kontekstet socio-kulturore, emancipuese të çiftit dhe ngritja e tyre intelektuale, është sfidë që edhe shtetet më të zhvilluara nuk e kanë tejkaluar këtë fenomen, ku fëmija adaptohet pa kushte ose pa preferenca të adoptuesve. Kjo kategori e fëmijëve zakonisht u mbetet barrë institucioneve, të cilat duhet të bëjnë më shumë në sensibilizimin dhe promovimin e të drejtave të barabarta mbi adoptimin e fëmijëve te çiftet në kërkesë”, përfundoi Genc Xërxa.

Trashëgimia, ndikim që kosovarët t’i pëlqejnë më shumë djemtë se vajzat

Në anën tjetër, sociologu Artan Krasniqi tha se adoptimi i fëmijëve djem përpara atyre vajza bëhet për arsye të trashëgimisë, ndërsa thekson se gjeneratat e reja po kanë lëvizje sa i përket barazisë dhe emancipimit shoqëror.

“Arsyet për parapëlqim të adoptimit të fëmijëve djem përpara atyre vajza nuk mund të shihet shkoqur nga dëshira tradicionale për të pasur djem për trashëgimtarë përpara vajzave. Një ndryshim në këtë kontekst në shoqërinë kosovare, te gjeneratat e reja veçmas, vërehet dhe kjo tregon për një lëvizje drejt barazisë dhe emancipimit shoqëror. Megjithatë, fakti që mbetet ende gjinia mashkullore më e kërkuar, qoftë kur bie fjala për adoptim, tregon se duhet ende punë për të arritur egalitarizmin e synuar. Në anën tjetër, dihet se proceset shoqërore e kanë rrjedhën e vet të natyrshme dhe përpjekja për t’i shpejtuar ato shpeshherë është e pasuksesshme”, tha tutje sociologu Krasniqi.

Për çështjen e adoptimit të fëmijëve me nevoja të veçanta Krasniqi tha se kërkohet humanitet i lartë i familjes adoptuese.

Ai thekson se përgjegjësia ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta është dyfish më e madhe.

“Kërkohet përkushtim dhe përpjekje maksimale dhe pesha e përgjegjësisë është dyfish më e madhe. Kam përshtypjen që adoptimi i fëmijëve te ne është ende si pasojë e pamundësisë për të bërë biologjikisht fëmijë e jo për hir të adoptimit të një fëmije të braktisur. Edhe kushtet ekonomike e kanë efektin e vet, por, pas kësaj, lidhet më shumë me mentalitetin”, përfundoi sociologu Artan Krasniqi.

Lajmet më të lexuara