Sot u mbajt ceremonia e lansimit zyrtar të Kërkesës për Propozime për ankandin e parë konkurrues për energji me erë, me kapacitet të synuar deri në 100 megavatë.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky ankand do të sjellë më shumë prodhim vendor të energjisë, më pak varësi nga importi dhe çmime më të përballueshme për qytetarët, si rezultat i konkurrencës së drejtpërdrejtë ndërmjet kompanive të kualifikuara.
Ajo theksoi se ky projekt nuk qëndron i vetëm, por është pjesë e strategjisë së gjerë për sektorin e energjisë, e cila synon tranzicionin energjetik duke vepruar paralelisht në tri drejtime: forcimin e kapaciteteve ekzistuese, ndërtimin e kapaciteteve të pastra dhe modernizimin e rrjetit energjetik për t’i përballuar ato.
Rizvanolli përmendi se vetëm këtë vit, modernizimi i njësisë B2 në Termocentralin Kosova B ka sjellë rreth 85 megavatë më shumë prodhim dhe 12 për qind më pak ndotje. Investime të ngjashme kanë nisur edhe në njësitë e tjera të KEK-ut, me një vlerë totale investimesh prej rreth gjysmë miliardi euro.
“Ne po ndërtojmë të ardhmen energjetike duke sjellë investime të reja përmes projekteve konkurruese për kapacitete të reja nga burimet e ripërtëritshme, të cilat i kemi nisur me ankandin e parë solar para dy vitesh. Sot, me publikimin e Kërkesës për Propozime, po e çojmë përpara edhe ankandin e parë të energjisë me erë”, tha ministrja në detyrë.
Ajo tha se ankandi parasheh një skemë mbështetëse 15-vjeçare, ndërsa burimet e energjisë me erë pritet të kontribuojnë veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe muajve të ftohtë, kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë.



IKD: Ndryshimi i përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provi...
Ylber Ramadani në formacionin e javës në Serie A nga SofaSco...
OKB: Shpenzimet e SHBA-së për luftën “e pamatur” në Iran mun...
Komisioni për Legjislacion miraton projektligjin për “çmimet...
Deklaratat e Trump, Irani paralajmëron përgjigje vendimtare ...
Provimi i Jurisprudencës, reagon kryetari i Gjykatës Supreme...