Kosova nënshkruan marrëveshje mbi 6 milionë euroshe me BERZH-in për Energji Efiçiente për Prizrenin

11:19 | 11 Maj 2022

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Zëvendës Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Alain Pilloux, kanë nënshkruar Marrëveshjen për Energji Efiçiente për Prizrenin, raporton Express.

Sipas njoftimit të MF’së, vlera e kësaj marrëveshje është 6 milionë e 315 mijë eurove, prej të cilave 20% janë grant.

“Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes, Ministri Murati ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm me BERZh-in, si një partner i rëndësishëm për avancimin e tranzicionit energjetik të Kosovës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Në anën e tij, Zëvendës Presidenti i BERZh z. Alain Pilloux u shpreh se për një shtet i cili deri vonë nuk mund ta imagjinonte të ardhmen e energjisë pa linjit, progresi i Kosovës nuk mund të ishte më i madh se kaq. Gjithashtu, ai theksoi se Kosova tashmë është duke punuar intenzivisht në një model të cilin çdo shtet duhet ta ndjek, përkatësisht kombinimin e energjisë efiçiente me energji të ripërtrishme”, thuhet në njoftim.

Projekti i cili financohet nga kjo marrëveshje parasheh implementimin e masave të efiçiencës në 100 objekte komunale, duke përfshirë kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor parësor. Masat e propozuara për efiçiencë përfshijnë përmirësimin dhe ndërrimin e sistemeve të ngrohjes, izolimin termik të ndërtesave dhe instalimin e dritareve dhe dyerve me efiçiencë të energjisë. /arbresh.info/

 

Lajmet më të lexuara