Dje, Komandanti i KFOR, Gjeneralmajor Özkan Ulutaş, vizitoi Norwegian People’s Aid (NPA) dhe The HALO Trust, dy organizata të pavarura të specializuara në çminim dhe çarmatim, në Jug të Mitrovicës.
KFOR njofton se vizita përfshiu një prezantim mbi aktivitetet e tyre të vazhdueshme dhe një ekspozim statik të pajisjeve dhe mjeteve shpërthyese që përdoren për trajnim dhe ndërgjegjësim publik, transmeton Arbresh.info.
“Që nga viti 1999, The HALO Trust dhe NPA kanë pastruar më shumë se 40 milionë metra katrorë tokë dhe kanë larguar më shumë se 12,000 mjete shpërthyese, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e sigurisë në Kosovë për të gjithë njerëzit që jetojnë këtu. Ata gjithashtu kanë ndihmuar në përmirësimin e sigurisë ushqimore, qasjes në tokë, si dhe zhvillimit të infrastrukturës dhe energjisë”, thuhet në njoftim.
KFOR-i tutje thekson se ka mbështetur punën e The HALO Trust dhe NPA, përfshirë edhe asgjësimin e sigurt të mjeteve shpërthyese të hasura, së bashku me personel nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin fillestar të FSK-së për mbrojtje civile.
KFOR vlerëson se është e rëndësishme që këto aktivitete të vazhdojnë të marrin financimin e nevojshëm, në mënyrë që Kosova të mund të shpallet e lirë nga mjetet e pashpërthyera në një të ardhme të parashikueshme.
“KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, si dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si institucione të sigurisë”, thuhet në njoftim./Arbresh.info
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski
Buna nën dritën e hënës, Rama ndan imazhe mahnitëse të lumit
SHBA këshillon qytetarët e saj të largohen nga Venezuela “me...
Më pak se 1% import të energjisë nga Serbia