Qëndrimi i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi në Slloveni, duket se ka tërhequr vëmendje të madhe të mediave sllovene, të cilat në raportimet e sotme të tyre ishin përqendruar kryesisht në marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet Sllovenisë dhe shtetit më të ri në rajon, Kosovës.
RadioTelevizioni Slloven (RTVSLOV) i ka dhënë hapësirë të madhe në ditarin qendror më të shikuar në Slloveni takimeve dypalëshe të Thaçit me krerët e shtetit. Nënshkrimi i marrëveshjes së Kosovës me Slloveninë për bashkëpunim ekonomik është cilësuar nga RTVSLOV si shumë i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në fushën e ekonomisë.
“Gjatë takimit me homologun e tij Karl Erjavec, kryediplomati kosovar Hashim Thaçi ka marrë mbështetjen e plotë se Sllovenia si anëtare e BE-së dhe NATO-s e mbështet fuqishëm shtetin e Kosovës ne proceset integruese dhe në anëtarësimin e saj në organizatat euroatlantike”, thuhej në ditarin qendror të RadioTelevizionit të Sllovenisë, transmeton televizioni ynë publik.
Gjithashtu, edhe në mediumin elektronik POPTV, vizita e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës në Slloveni është pasqyruar shumë gjerësisht. Ndërsa, në njërin prej televizioneve më të shikuara në Slloveni, 24UR, janë pasqyruar dhe detaje të shumta të takimeve dypalëshe të Thaçit me krerët më të lartë të shtetit slloven.
Pos pasqyrimit të aktiviteteve kryesore, televizionet i kanë kushtuar hapësirë të madhe edhe përkrahjes që Sllovenia i jep shtetit të Kosovës. Në raportimin nga takimi me kryeministrin Cerar është theksuar përkrahja që kreu i ekzekutimit të Sllovenisë i ka dhënë Thaçit, të cilin e ka siguruar se Sllovenia qëndron fuqishëm si mbështetëse e pavarësisë së Kosovës dhe përkrahëse e madhe e proceseve integruese të saj në BE, duke shtuar se Sllovenia e konsideron shumë të rëndësishëm dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për stabilizimin e plotë të situatës në rajon.
Në pjesën kryesore të televizionit 24UR, gjithashtu është raportuar se zëvendëskryeministri i Kosovës ka konfirmuar se shteti i Kosovës qëndron fuqishëm në luftë kundër terrorizmit dhe se është angazhuar në luftimin e atyre individëve që kanë synuar apo u janë bashkuar grupeve terroriste.
Edhe gazetat ditore i kanë kushtuar rëndësi të madhe takimeve të Thaçit në Slloveni. “Dnevnik” nga vizita e Thaçit sjell raportin me titull “Sllovenia dhe Kosova për thellimin e bashkëpunimit”.
Gazeta tjetër e përditshme qendrore në Slloveni, “Dello” e Lubjanës, në numrin e saj revial të sotëm ka botuar një intervistë të gjatë në tre faqe të saj me zëvendëskryeministrin Thaçi, me titullin “Qytetarët e Kosovës ëndërrojnë një Evropë të Bashkuar”.
Pse na shtohet dëshira për ushqim gjatë dimrit?
Liverpooli ka një zëvendësues të gatshëm për Salahun –...
I akuzuari për vrasjen e Charlie Kirk paraqitet për herë të ...
Habit sondazhi i Politico: Trump, njeriu më i fuqishëm në Ev...
Katër të arrestuar në Vlorë për pengmarrjen e një kosovari, ...
Android tani ka mundësinë e ndarjes së video live me shërbim...