Kosova huazon kamera në Shqipëri për zgjedhje

14:16 | 31 Gusht 2021
V. S.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për huazimin e 50 kamerave që do të përdoren në zgjedhjet e 17 tetorit.

Në njoftimin e KQZ-së bëhet e ditur se këto kamera do të përdoren në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke përfshirë edhe numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë.

“Përmes kësaj marrëveshje bashkëpunimi bëhet e mundur huazimi i 50 kamerave regjistruese nga KQZ-ja e Shqipërisë, të cilat do të përdoren gjatë proceseve të ndryshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, përfshirë numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë si dhe gjatë rinumërimit eventual të vendvotimeve”, thuhet në njoftim.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se përdorimi i këtyre kamerave do ta ndihmojë KQZ-në.

Ndërkaq Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se në zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, kamerat janë përdorur në të gjitha qendrat e votimit./arbresh.info/