Kosova ende pa institucione të reja, ambasadori francez: Është fatkeqësi që jemi në këtë situatë

15:03 | 23 Shtator 2025
E.K

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka theksuar rëndësinë e respektimit të pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe ka shprehur shqetësimin për vonesat në formimin e institucioneve funksionale në vend, të cilat i cilësoi si një fatkeqësi që po ndikon negativisht në zhvillimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës.

Në një deklaratë të dhënë pas një ngjarjeje të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë me temën “Dezinformimi dhe lajmet e rreme në fushatat zgjedhore – si të mbrohen votuesit dhe të ruhet procesi demokratik”, Guérot theksoi se Gjykata Kushtetuese është një nga shtyllat themelore të Republikës së Kosovës, dhe se ajo ka fituar respekt të gjerë në arenën ndërkombëtare, përfshirë pranimin si anëtare e plotë në Shoqatën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese dhe në Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese frankofone.

Duke komentuar situatën aktuale politike, ai tha:

“Mendoj se është fatkeqësi që jemi në këtë situatë. Kosova nuk është i vetmi vend ku ekziston një qeveri në detyrë. Në vendin tim aktualisht kemi një kryeministër, por jo një qeveri të re të emëruar plotësisht, dhe ka shumë vende në Evropë në një situatë të ngjashme. Nuk është një situatë e mirë për asnjë vend dhe as për Kosovën. Por tani jemi pak të bllokuar, sigurisht, sepse Kushtetuta e Kosovës thotë se çdo marrëveshje ndërkombëtare me implikime financiare duhet të ratifikohet nga Kuvendi, dhe ne nuk kemi një Kuvend që mund të funksionojë”.

Të ngjashme