Kosova e para në listën e azilkërkuesve në Gjermani

00:34 | 16 Prill 2015
M. A.

Më shumë se tremijë qytetarë të Shqipërisë kanë kërkuar azil në Gjermani vetëm në muajin mars të këtij viti. Vendin e parë e mban Kosova dhe më pas Siria.
Mijëra qytetarë shqiptarë kanë lënë vendin në këtë fillim viti. Vetëm brenda muajit mars janë bërë 3020 kërkesa për azil. Kjo shifër i përket vetëm Gjermanisë, e cila ka bërë publike dje shifrat alarmante.

Në fakt, shqiptarët zënë vendin e tretë të azilkërkuesve, pas Kosovës që është në vendin e parë dhe Sirisë në vendin e dytë – një vend që është në luftë civile prej vitesh.

Pas Kosovës dhe qytetit të Kukësit, janë banorët e Orikumit në Vlorë ata të cilët kanë braktisur vendin e tyre dhe janë nisur drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Gjermanisë, me shpresën se do të përfitojnë azil ekonomik. Papunësia, vështirësitë ekonomike dhe mbi të gjitha mungesa e shpresës për një të ardhme më të mirë po i bën këta banorë të braktisin Orikumin, i cili pas pak javësh pritet të mbushet me turistë të cilët nuk dihet se kush do t’i mirëpresë e kush do tu shërbejë.

Në këtë qytezë rrugët janë të boshatisura, pasi shumica e banorëve janë nisur drejt Gjermanisë. Shumë prej banorëve thonë së të paktën prej katër muajsh vijon largimi i njerëzve në masë nga kjo zonë. Numri i atyre që janë kthyer është shumë i paktë.

Vetëm nga zona verilindore e vendit për tre muajt e parë të vitit 2014, kanë ikur katërmijë qytetarë, bashkë me familjet e tyre.

Në Shqipëri, pas fluksit të madh të regjistruar në Portin e Vlorës, i njëjti fenomen po zbraz nga banorët qytezën e Orikumit dhe se fundmi Kukësin dhe fshatrat e gjithë zonës. Pika më e prekur këto ditë është Shishtaveci. Në mënyrë të organizuar dhe si në një epidemi, banorët atje lënë vetëm të moshuarit në shtëpi dhe ikin me shpresën se do fitojnë azil. Fenomeni është i njohur edhe nga autoritetet shqiptare.

Ministria e Brendshme njoftoi se vetëm përgjatë 72 orëve të fundit Policia e Shtetit u ka refuzuar të drejtën e udhëtimit në zonën Shengen rreth 750 shtetasve shqiptarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, të cilët rezultuan në shkelje të procedurave për udhëtim në zonën Shengen.

Policia e Shtetit ka shtuar masat e kontrollit në pikat kufitare me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

azilant

Për muajin mars nga Kosova numri i azilkërkuesve është 11729 vetëm, më pas Siria e cila është në luftë civile dhe në vend të tretë Shqipëria me 3020 kërkesa. Në vend të katërt është Serbia me 2833 kërkesa e më pas në vendin e gjashtë është Maqedonia, që pas Irakut në luftë ka 926 kërkesa. Sipas statistikave gjermane, azilkërkuesit më të shumtë janë shqiptarët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, por edhe nga Serbia, ku një pjesë e madhe e shqiptarëve të Kosovës përdorin faktin se u njihen dokumentet e tyre si shtetas të Serbisë.

Shpërndaje në rrjete sociale