Me rastin e mbajtjes së “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, e organizuar nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se shpesh herë zhgënjehet kur dëgjon për shpërputhjen në trajtim nga sistemi penal i Kosovës.
Ai ka theksuar se e kupton që jo të gjitha krimet dhe rrethanat janë të njëjta, por mungesa e parashikueshmërisë dhe njëtrajtshmërisë në raste, i dëmton proceset dhe sukseset në fushën e drejtësisë.
“Më lejoni të nënvizoj që respektimi i sundimit të ligjit kërkon njëtrajtshmëri të tillë dhe kjo veçanërisht është e vërtetë kur trajtohen të drejtat dhe nevojat e viktimave të krimit. Për këtë arsye, shpesh jam i zhgënjyer kur dëgjoj për shpërputhjen në trajtim nga sistemi penal i Kosovës”.
“Disa kryes të veprave mbahen në burg, e disa të tjerë lirohen. Disa viktima marrin ndihmë, e të tjerë lihen të kujdesen vet për vete. Disa të pandehur akuzohen për shkelje të rëndë, kurse të tjerët, që e kanë kryer veprën e njëjtë, përballen me akuzë shumë më të lehtë – disa përballen me dënime të rënda, kurse të tjerët paguajnë gjobë të papërfillshme”.
“E kuptoj që jo të gjitha krimet dhe rrethanat janë të njëjta, por mungesa e parashikueshmërisë dhe njëtrajtshmërisë në këto raste i dëmton proceset dhe sukseset tuaja. Rrjedhimisht, e dëmton besimin e qytetarëve”.
“Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve që të vazhdoni të punoni për të siguruar që çdo viktimë, çdo rrethanë, çdo ndjekje penale dhe çdo dënim, të trajtohet me dinjitetin dhe rëndësinë e njëjtë. Sigurohuni që drejtësia të zbatohet njëtrajtësisht për të gjithë”.
Kosnett ka shtuar se madhështia e një populli gjykohet nga mënyra se si ai popull i trajton qytetarët më të brishtë të shoqërisë.
“Prandaj, të gjithë të mbijetuarit që i kanë raportuar rastet, të gjithë ju që e keni shtrirë dorën e kujdesit, si dhe të gjithë ju që keni luftuar për drejtësi, e keni respektin tim – ju po e ndihmoni Kosovën që ta arrijë atë madhështi”.
Isni Kilaj mbetet në paraburgim, refuzohet oferta për 40 mij...
FIFPro zbulon 11-shen më të mirë të vitit 2024, dominojnë lo...
Kurti priti në takim raportuesin për Kosovën në PE, flasin p...
Pesë ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, liderët e...
Smith MVP i javës së 11-të, kjo është pesëshja më e mirë
Izraeli godet objektet e dyshuara të armëve kimike në Siri