Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, Ardian Gola, priti sot në takim Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të drejtuar nga Flutura Açka.
Në takim Konjufca vlerësoi lart bashkëpunimin që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmjet tyre, duke e konsideruar atë shembull për vendet e tjera në rajon, shkruan Arbresh.info.

Kryetari i Kuvendit shprehu interesimin dhe gatishmërinë për t’i vazhduar marrëdhëniet e tilla me Tiranën në të gjitha fushat, duke i kultivuar dhe intensifikuar më tej ato, në të mirë të të dyja vendeve, veçanërisht në rrafshin parlamentar.
Konjufca theksoi nevojën e një dinamike të re të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, përfshirë këtu sferën e arsimit, si njërën nga shtyllat kryesore të zhvillimit, për të rezultuar me arsim cilësor dhe konkurrues në tregun global.

Anëtarët e delegacionit parlamentar nga Shqipëria falënderuan kryetarin Konjufca për pritjen e ngrohtë dhe njëkohësisht shprehën interesimin e tyre për të rritur angazhimet në funksion të kooperimit sa më të madh ndërparlamentar midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Në takim u sugjeruan vizita më të shpeshta të ndërsjella të komisioneve parlamentare, për të kontribuuar sa më shumë si në përafrimin dhe avancimin e legjislacionit, ashtu edhe të këmbimit të përvojave parlamentare./Arbresh.info/

Policia me urdhër operativ për zgjedhjet, publikon numrat ku...
Katër të arrestuar pas përleshjeve pranë një qendre imigraci...
Sulm me dron në Sudan, 11 civilë humbin jetën në një treg
Këtu mund të gjeni qendrën tuaj të votimit
Çfarë dokumenti duhet të keni me vete për të votuar sot?
Hapen qendrat e votimit në Kosovë, Radoniqi fton qytetarët t...