Konfiskohen armë dhe municion në Pejë e Istog, dy persona arrestohen

09:52 | 20 Maj 2026
E.H

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se gjatë kontrolleve të realizuara në dy raste të ndara në Pejë dhe Istog janë konfiskuar armë, municion dhe sprej OC, ndërsa dy persona janë arrestuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

Sipas Policisë, rasti i parë ka ndodhur më 19 maj 2026 rreth orës 18:50, në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Pejë, ku patrulla policore gjatë patrullimit ka ndaluar një person të dyshuar. Pas kontrollit në çantën e tij të krahut është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një karikator dhe 17 fishekë të kalibrit 9×19 mm, transmeton Arbresh.info

Ndërkaq, rasti i dytë është regjistruar po të njëjtën datë rreth orës 22:50 në fshatin Banjë të Istogut. Policia kishte ndaluar një automjet në pikë kontrolli dhe gjatë kontrollit në bagazh kishte gjetur një pistoletë me një karikator, shtatë fishekë dhe një sprej OC, të cilat janë sekuestruar.

Të dyshuarit në të dy rastet janë arrestuar dhe intervistuar, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit janë liruar në procedurë të rregullt.

Policia bëri të ditur se gjatë këtyre aksioneve janë konfiskuar gjithsej:

Dy pistoleta,
Dy karikatorë,
24 fishekë,
Një sprej OC./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale