Komuna e drejtuar nga Mytaher Haskuka ka humbur kontestin gjyqësor me çerdhen “Yllka”, që është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut turk Fetullah Gulen.
Komuna e Prizrenit ishte palë e paditur në kontestin civil që po zhvillohej sipas padisë së çerdhes “Yllka”.
Kopshti i fëmijëve kishte paditur Komunën e Prizrenit për pengim në posedimin e hapësirës ku gjendet çerdhja, raporton KALLXO.com.
Gjykata Themelore e Prizrenit me aktvendim e ka aprovuar padinë dhe është vërtetuar se Komuna e Prizrenit e ka penguar paditësin në posedim faktik të kopshtit, ashtu që më 20 gusht të vitit 2018, me forcë ka tentuar t’i vendosë drynin dhe të mbyllë kopshtin e fëmijëve ”Yllka”.
KALLXO.com raporton se me aktvendimin e saj Gjykata Themelore e ka detyruar Komunën e Prizrenit, që në të ardhmen të përbahen nga pengimi i tillë apo i ngjashëm.
Sipas padisë që e ka paraqitur ”Pedaks” sh.p.k, e njëjta e ka paditur Komunën e Prizrenit sepse më 2 gusht të vitit 2018, nga kryetari i Komunës së Prizrenit, kanë pranuar njoftim për shkëputjen e kontratës dhe kërkesë për lirimin e objektit, e sipas paditësit Komuna e Prizrenit nuk e ka respektuar kontratën e nënshkruar në vitin 2010.
Komuna e Prizrenit nëpërmjet përfaqësuesit të saj avokat Blerim Mazreku ka kundërshtuar padinë, duke theksuar se me datë 2 gusht të vitit 2018 Komuna i ka dërguar paditëses njoftim për shkëputjen e kontratës. Gjithashtu, Komuna pretendon se kishte kërkuar nga paditësja që ta lirojë objektin e kopshtit brenda 16 ditësh.
Përfaqësuesi i Komunës pretendonte se qëllimi i vetëm i padisë ishte që të diskreditohet kryetari i Komunës.
Sipas këtij vendimi të Gjykatës, tashmë kopshti “Yllka” do të vazhdojë posedimin dhe shfrytëzimin e hapësirës pa pengesa nga ana e Komunës së Prizrenit.
Përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit ka paralajmëruar që do të paraqes ankesë ndaj këtij vendimi të Gjykatës.
Spanja mbyll hapësirën ajrore për avionët amerikanë që sulmo...
Ademi pret delegacionin turk para ndeshjes finale
Ylli ia beson detyrën e trajnerit Endrit Elshanit deri në fu...
Shpërthejnë polekimat në Bosnje, ‘spiuni’ italian shfaqet në...
Kandiq për ekspozitën: Është problematike që të paraqitet se...
Bordi i Paqes e mirëpret angazhimin e Qeverisë së Kosovës pë...