Komuna e Prishtinës largon 25 deponi ilegale të mbeturinave

15:43 | 22 Prill 2016
M. A.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, komuna e Prishtinës ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh për të larguar mbi 25 deponi ilegale të mbeturinave.

Këto aktivitete janë realizuar në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës e me kompani private, të cilat kanë shprehur gatishmërinë për të pastruar kryeqytetin që të duket sa më pastër si dhe qytetarë të shumtë, të cilët me punë vullnetare pastruan shumë pjesë të Prishtinës.

Drejtori i Shërbimeve Publikë të komunës së Prishtinës, Gent Begolli, tha se komuna me aktivitetet që ka ndërmarrë sot për pastrimin e Kosovës, do të largojë mbi 25 deponi dhe në vend të tyre do të mbjell fidanë dhe do të vendosë shtylla antiparking, që në ato pjesë të mos hedhen prapë mbeturina.

“Drejtoria e Shërbimeve Publike ka marrë sot, në Ditën e Tokës, një aktivitet i cili do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për të larguar shumicën e deponive ilegale në Prishtinë. Sot i largojmë rreth 10 deponi ilegale, që janë më të mëdha, dhe kemi edhe rreth 15 të tjera që janë më të vogla. Gjithashtu do të bëjmë pastrimin e shumë zonave të ndryshme. Që të parandalojmë gjuajtjen e mbeturina, në disa hapësira do të vendosim edhe shtyllat ‘anti-park’. Partner në këtë aktivitet të sotshëm janë Forca e Sigurisë së Kosovës, gjithashtu edhe shumë firma private”, ka sqaruar Begolli.

Për të larguar mbeturinat nga qyteti janë angazhuar edhe pjesëtarët e FSK-së, të cilët kanë larguar një deponi me mbeturina në rrugën “Gazmend Zajmi”. Afrim Veseli tha se FSK-ja do të bëjë largimin e dy deponive ilegale, të cilat i janë caktuar. Ai më tej tha se FSK-ja gjithashtu ka filluar aksione brenda dhe jashtë kazermave të saj në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës.
“Njësitë e FSK-së në komunën e Prishtinës në bashkërendim të aktiviteteve me komunën dhe Ministrinë e Ambientit, iu është caktuar me dy lokacione se ku do të veprohet gjatë ditës. Po ashtu pjesëtarët e FSK-së kanë filluar aksionin brenda kazermave dhe jashtë kazermave për të shënuar Ditën e Tokës”, tha Veseli.

Një aksion i ngjashëm është zhvilluar edhe në fshatin Mramor, ku falë punës vullnetare të kompanisë së pastrimit “Dardania” tani qytetarët e atij fshati nuk do ta kenë më problem deponinë e mbeturinave.

Drejtori i Shërbimeve Publikë në komunën e Prishtinës Gent Begolli i ka bërë thirrje Ministrisë së Ambientit që të aprovojë kërkesën e Komunës për lejimin e një deponie për mbeturina inerte. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të mos i hedhin mbeturinat vend e pavend.

Aktivitete të ngjashme për Ditën e Tokës komuna e Prishtinës sot ka ndërmarrë edhe në Zonën industriale, te Pallati i Drejtësisë (fshati Hajvali), në lagjet Tauk Bashçe, Taslixhe, Tophane, rrugën “Qemajl Stafa”, në fshatin Shkabaj, në rrugën “Dëshmorët e Marevcit”, nëfhsatrat Bërnicë e Ulët, Bërnicë e Epërme dhe Bardhosh, në rrugën “Haxhi Zeka”, në lagjen “Prroi i njelmët” dhe në deponinë e panaireve në Shkabaj, në rrugën”Shpëtim Robaj”, etj.

Shpërndaje në rrjete sociale