Google ADS

Komisioni hetimor u jep 5 ditë afat DKA-ve për dërgimin e përgjigjeve

14:22 | 21 Qershor 2024
K.B

Komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve arsimore u ka dhënë afat shtesë 5 ditësh DKA-ve për kthimin e përgjigjeve të kërkuara nga ky komision, në të kundërtën do ndiqen rrugë penale.

Kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj ka thënë se 5 ditë afat shtesë iu është dhënë Drejtorive Komunale të Arsimit për kthimin e përgjigjeve të kërkuara nga Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimin e teksteve arsimore, e në të kundërtën ata do të ndiqen penalisht.

“Krejt ato pyetje janë të formuluara nga ana e deputetëve. Ato pyteje janë të shkruara në formë Hard Copy. Të gjithat i kam verifikuar, i kam nënshkruar dhe kërkesa është 10 ditore për me u dërgu komplet informacionet të cilat komisioni i ka kërkuar. Realisht pse ata kanë dhënë përgjigje të tilla, atëherë është vërejtje për DKA-të e nuk është vërejtje për administratën. Ne do të kërkojmë për edhe një afat shtesë për në afat prej 5 ditëve, për ata të cilët nuk kanë reflektu deri më sot dhe nëse edhe pas 5 ditësh nuk kemi, atëherë ne do të fillojmë rrugën ligjore penale të ndjekjes për ata të cilët nuk i përgjigjen kërkesave të Komisionit Hetimor, për secilin veç e veç”, ka theksuar ai.

Deputetja nga radhët e LVV-së, Majlinda Tishukaj ka thënë se deri më tani përgjigje kanë kthyer vetëm disa komuna, siç janë: Mitrovica, Prishtina, Istogu, Novobërda, Ferizaji e Gjakova.

“Megjithatë edhe informacionet që janë duke na i dhënë përpos Istogut të cilat i kanë dhënë informacionet për 5 vite, ne si grup i Vetëvendosjes kemi kërkuar që nga 2008-ta. Tash o pyetja nuk është shtruar në rregull, ose e kanë keqkuptuar. Ndoshta duhet me specifiku edhe kohën edhe një herë. Përgjigjet që janë dhënë sidomos, Ferizaji edhe Prizreni ia kanë huq totalisht. Ata iu kanë referuar vitit shkollor 2024-2025 dhe e kanë paraqit si sfidë që nuk ka komunikuar MASHT-i e që nuk është pjesë hetimore. Po besoj që ditëve në vazhdim nëse ne i kemi propozimet, do t’i dërgojmë nëpërmjet emailit. Kështu që ta kemi një dakrodim të plot. Pasi që jemi 2 e 3 mungojnë, kështu që do të ishte mirë që të na jepni pak kohë”, ka thënë ajo.

Deputeti Bekim Haxhiu ka theksuar se është kërkur informacion për furnizimin me tekste shkollore ndërvite, përfshirë këtu edhe vitin shkollor 2023-2024 se kur janë furnizuar nxënësit me tekste shkollore.

“Edhe për vitet paraprake se ka qenë ky furnizim. Duhet me pas të dhëna të sakta e jo, një prej përgjigjeve: se nxënësit nuk kanë pasur tekste shkollore, e ne pastaj kemi kërkuar prej një shkolle në shkollën tjetër. Ne nuk po kërkojmë aspektet menaxheriale të drejtorëve të DKA-ve nëpër komuna, por po na intereson sa kanë qenë propozimet e tyre për tekstet shkollore, sa tekste i kanë marrë, sa nxënës i kanë marrë dhe kur i kanë marrë. A i kanë marrë para 1 shtatorit, apo pas 1 shtatorit apo me 30 dhjetor. Na duhet lista e përfituesve të atyre që janë subvencionu sepse është çështje e rëndësishme për procesin hetimor të dihet saktë se kur dhe sa mjete buxhetore janë shpenzuar specifikisht për çdo familje sepse ka pas familje që iu ka pas 3 nxënës e janë subvencinu vetëm për një”, ka theksuar ai

Agim Veliu, deputet i LDK-së, ka kërkur afat shtesë.

“Disa komuna i paskan sjellë me i shikuar a janë në rregull në bazë të kërkesave që ne i kemi bë. Disa komuna nuk i kanë sjellë. Është mirë me iu dhënë edhe një afat, meqë ka qenë një far konfuzioni, dikush ka kërkuar e dikush pastaj ka thënë nuk keni nevojë me i sjellë. Është mirë edhe një herë me përsërit kërkesën se ata mund të jenë të hutuar apo nuk e kanë të qartë gjithë situatën”, tha ai.

Në këtë Komisioni Hetimor Parlamentar, përzgjodhi tre ekspert prej 9 sa kanë aplikuar. Fikret Ibrahimi, Bashkim Mustafa dhe Hilmi Jashari, që të tre të fushave të ndryshme të cilët do të hetojnë procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme