Pas dështimit të sotëm të seancës, përveç të tjerash, deputetët para gazetarëve e kanë ngritur si shqetësim paralajmërimin e fundit të KESCO-s se aktualisht pjesa dërrmuese e energjisë elektrike po importohet. KESCO ka njoftuar se sot vetëm njësia A3 është duke prodhuar energji rreth 110 megavat. Sindikata e Re e KEK-ut i ka quajtur të pabazuara dhe tendencioze këto deklarime të KESCO-s. Por vetë KEK, deri tash nuk ka njoftuar fare se sa është duke prodhuar energji sot e as sa është konsumi.
Mungesa e prodhimit të energjisë elektrike me kapacitet të plotë ka vazhduar edhe ditën e shtunë.
Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, ka njoftuar se prodhimi vendor i energjisë elektrike vazhdon të jetë i kufizuar.
Përmes një komunikate, kjo kompani ka treguar se aktualisht vetëm njësia A3 është duke prodhuar energji rreth 110 megavat sot. Pjesa tjetër e kërkesës, ka bërë me dije KESCO, do të mbulohet përmes importit të energjisë.
KESCO po ashtu ka thënë se konsumi i përgjithshëm ka shënuar rritje gjatë ditëve të fundit, kryesisht për shkak të përdorimit më të madh të kondicionerëve si pasojë e temperaturave të larta.
Duke i bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, kjo kompani ka deklaruar se për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe pa ndërprerje, KESCO ka siguruar importet e nevojshme të energjisë nga tregjet ndërkombëtare.
Lidhur me këtë situatë të energjisë elektrike në vend kanë reaguar partitë politike në vend.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar reflektim nga partia në pushtet për krizën energjetike nëpër të cilën po kalon Kosova.
“Dje pamë lajme të frikshme për krizën buzë kolapsit në sektorin e energjisë. Ftesë publike për reflektim. Mjaft është mjaft…”, ka thënë mes tjerash Vlora Çitaku, sekretare e përgjithshme e PDK-së.
Po ashtu LDK ka hedhur kritika të ashpra në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje për problemet me energji.
“LVV vazhdimisht ka kundërshtuar ngritjen e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë vendore. Po flas konkretisht për projektin Kosova e Re, të cilin e ka kundërshtuar vazhdimisht dhe me ardhjen e tyre në pushtet e kanë dështuar këtë projekt përfundimisht, duke e lënë Kosovën në këto kapacitete të cunguar të prodhimit vendor…”, ka deklaruar Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së.
Ndërkohë, deputeti nga AAK-ja, Bekë Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka ironizuar me Lëvizjen Vetëvendosje duke thënë se t’u e ndalë gjakderdhjen financiare, u habitën e ndalën KEK-un!
Por nga LVV-ja thonë se ajo çfarë po thuhet lidhur me kolapsin energjetik është vetëm një propagandë e opozitës.
“Këto janë krejt propaganda të opozitës, por qytetarët e Republikës nuk i besojnë më këtyre propagandave, përfshirë këta që kanë qenë përgjegjës e që s’kanë bërë asnjë investim të vetëm në energji, e tash po na bie barra neve për me i vnu turbinat e reja, me investu rreth 60 milionë euro për shkak se s’janë bërë më herët…”, ka thënë Dimal Basha, deputet i LVV-së.
Ekspertët e fushës së energjisë thonë se situata e krijuar është alarm për institucionet e vendit.
“Kjo gjendje e rënduar me furnizim me energji me kosto të paparashikueshme dhe me kosto jo të menaxhueshme lehtë, është alarm, është kambanë që të gjitha institucionet e Kosovës duhet ta marrin seriozisht dhe të veprojnë me urgjencë dhe mendjemprehtësi për me i adresu të gjitha problemet në mënyrën më të mirë të mundshme…”, ka deklaruar Adhurim Haxhimusa, ekspert i fushës së energjisë.
Ndërkohë, përmes një komunikate të gjatë ka reaguar Sindikata e Re e KEK-ut, duke i quajtur të pabaza deklarimet tendencioze të KESCO-s.
Në komunikatë thuhet se manipulimi i opinionit për të fshehur dështimet e veta është i njohur për publikun dhe për institucionet vendore e ndërkombëtare, se që nga marrja me koncesion e rrjetit shpërndarës, KEDS/KESCO ka pasur obligim të qartë për vendosjen nëntokësore të rrjetit energjetik dhe kjo nuk ka ndodhur.
Sipas Sindikatës, çmimi që i ofrohet KEK-ut është më i ulët se kostoja reale e prodhimit. Sot, KEK paguhet nga KESCO me vetëm 29.5 €/MWh – një çmim që nuk mbulon as kostot minimale të prodhimit të energjisë nga termocentralet tona. Ndërkohë, qytetarët tarifohen me mbi 35 €/MWh vetëm për transportin.
Më tej thuhet se, përveç që KESCO përfiton energji me çmim nën kosto, i detyrohet KEK-ut mbi 100 milionë euro, duke shtuar se deklarimet e fundit të KESCO-s janë përpjekje e ulët për të larguar vëmendjen nga dështimet shumëvjeçare të veta./rtk
Njësia Speciale “zbarkon” në Skenderaj
Hashim Thaçi me mesazh për politikanët: Egoja në politikë të...
Zyrtare: Carlo Ancelotti në krye të Brazilit deri në vitin 2...
Amerikanët kapën tre ton kokainë me vlerë rreth 40 milionë e...
Hashim Thaçi rrëfen takimin emocional me Adem Demaçin para p...
Hashim Thaçi nga paraburgimi: Kosova më pro-amerikane në bot...