Kërcënimi nga Serbia, a duhet Kosova ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak?

11:00 | 6 Janar 2024
E.G

Vendimi i Serbisë për rikthimin e detyrueshëm të shërbimit ushtarak, po shihet si kërcënim direkt ndaj shtetit të Kosovës.

Mirëpo, njohësit e çështjeve të sigurisë janë të ndarë sa i  përket mendimit nëse të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe shtetit i Kosovës.

Njohësi i sigurisë, Bedri Elezi për Arbresh.info thotë se Kosova nuk ka mundësi që të bëjë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, sepse sipas tij, kjo bie në kundërshtim me narrativen ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Jo në asnjë mënyrë. Kosova është përcaktuar përkrah shteteve me demokraci shteteve evropiane. Për shërbim ushtarak i detyrueshëm bien ndesh me narrativët ndërkombëtare të t’ drejtave të njeriut. Prandaj, Kosova nuk do ta bëjë një gjë të tillë dhe nuk do të kemi një qasje të tillë edhe për faktin se Kosova nuk ka pretendim territorial ndaj një shteti tjetër, por është e përcaktuar që të ushtroj mbrojtjen në vendin e  saj dhe prandaj e ka një ushtri moderne e cila është me format të ushtarit të paguar”, shprehet Elezi.

Në anën tjetër, njohësi i sigurisë, Avni Islami, thotë se edhe shteti i Kosovës duhet ta marr një vendim të tillë për shërbim të detyrueshëm ushtarak.

Sipas tij, edhe në Kosovë duhet të bëhet shërbimi i detyrueshëm ushtarak në mënyrë që të mbrohet sovraniteti dhe integriteti i vendit.

“Nuk ka dilemë se ka me vite që e kam propozuar që pavarësisht kostos që është jo e lirë, është e kushtueshme, Kosova është dashur shumë më herët të bëjë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kam marr shembull Zvicrën, ku atje është shërbimi i detyrueshëm. Mendoj që edhe Kosova, para propozimit serb, është dashur ta bëjë duke marr parasysh që Kosova është një vend i vogël, dhe pretendimet gllabëruese të Serbisë janë në vazhdimësi, kështu që Kosova duke e llogaritur që do të duhej të vetëmbrohej së bashku me aleatët tanë do të duhej të futej shërbimi i detyrueshëm ushtarak në mënyrë që të mbrohet sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit”, pohon Islami.

Ndryshe, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë nisi një iniciativë dhe i propozoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri deri në katër muaj.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq deklaroi se nisma po fillon në bazë të një vlerësimi të situatës së sigurisë në vend dhe se shumë vende evropiane po riaktivizojnë detyrimin për të shërbyer në ushtri.

Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri.

Vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qipro./Arbresh.info/Ejona Hyseni /