KEK-u konfirmon daljen e A3-shit nga prodhimi, thotë se është situatë e përkohshme

22:49 | 16 Janar 2026
R J

Pak pas orës 20:00, ne media u  raportua se blloku A3 i TC Kosova A kishte dalë jashtë sistemit.

Bie blloku A3 i termocentralit “Kosova A”

Kjo madje u konfirmua edhe në të dhënat e publikuara të gjenerimit “live” nga TC Kosova A.

Por, për situatën e krijuar reagoi edhe vetë KEK-u, i cili tha se dalja e A3 nga prodhimi është situatë e përkohshme, teksa shtoi se operimi i sistemit mbetet i qëndrueshëm.

“Njësia A3 ndalet përkohësisht nga operimi – operimi i sistemit mbetet i qëndrueshëm. Ekipet profesionale dhe teknike të KEK sh.a. janë duke realizuar verifikimet dhe kontrollimet e nevojshme për të identifikuar shkakun dhe për të ndërmarrë masat e duhura për sanimin e situatës, në përputhje me procedurat teknike operative”, u tha në njoftimin e KEK-ut.

Korporata tha se operimi i sistemit elektroenergjetik po vazhdon në mënyrë të qëndrueshme dhe të kontrolluar, pasi aktualisht po operon me katër njësi gjeneruese: A4, A5, B1 dhe B2, “në përputhje me planin e prodhimit dhe bilancin energjetik të aprovuar”.

“Njësia e pestë aktivizohet sipas nevojës dhe parametrave teknikë, me qëllim të adresimit të rritjes së konsumit, pa cenuar stabilitetin dhe sigurinë operative”, tha KEK-u.

Shpërndaje në rrjete sociale