KEDS gjobitet 45 mijë euro

22:19 | 31 Mars 2017

Mashtrimet me ndërprerjen e energjisë elektrike i kanë kushtuar 45 mijë euro KEDS-it. Zyra e rregullatorit të Energjisë e ka gjobitur të premten këtë kompani pasi nën arsyetimin e mirëmbajtjes së rrjetit kishte aplikuar reduktime të energjisë elektrike tek konsumatorët.

KEDS mbanë licencën e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), i cili është gjetur nga ZRRE se ka bërë një mashtrim për një periudhë kohore duke lënë në terr qytetarët për orë të tëra, shkruan Gazeta Fjala.

“Në këtë mbledhje Bordi ka shqyrtuar komentet e OSSH në lidhje me njoftimin për shkelje, të datës 6 mars 2017, përmes të cilit OSSH është njoftuar me shkeljet e konstatuara nga monitorimi i ndërprerjeve të planifikuara me qëllim të mirëmbajtjes së rrjetit”, thuhet në njoftimin e ZRRE.

Bordi ka konstatuar se OSSH nuk ka arritur të dëshmojë se të gjeturat nga monitorimi i ZRRE nuk janë të sakta dhe ka vendosur që duke u bazuar në Rregullën për Masat Administrative dhe Gjobat të shqiptojë dënim me gjobë në vlerë prej dyzet e pesë mijë euro.

Me kërkesë të kryetarit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa ZRRE-ja pati detyruar KEDS-in t’i ndal reduktimet me arsyetimin e mirëmbajtjes së rrjetit, për të hetuar se çfarë kishte ndodhur.

ZRRE-ja në hetimin preliminar ka vërtetuar se procesi i ndërprerjeve është përcjell me parregullsi. Ka pasur mirëmbajtje të rrjetit që nuk janë realizuar kurrë, ndërsa është ndërprerë energjia elektrike dhe qytetarët kanë mbetur në terr.

Ka pasur ndërprerje të shpeshta të daljeve të njëjta brenda muajit, përkundër që rrjeti ishte krejt në rregull.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara