Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësim të thellë për dështimin e përsëritur të Kuvendit për të miratuar raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, një ndër hapat e domosdoshëm drejt konstituimit të Kuvendit dhe fillimin e punës së legjislaturës së re.
KDI thekson se ‘mosdorëheqja formale e kryeministrit dhe ministrave në detyrë të cilët janë zgjedhur deputetë, përveçse shkelje e qartë e parimeve të ndarjes së pushteteve, po pamundëson votimin e raportit, duke cenuar drejtpërdrejt funksionalitetin institucional të Kuvendit’, thuhet në reagimin e kësaj organizate.
Sipas reagimit, KDI rikujton se sipas legjislacionit në fuqi, anëtarët e ekzekutivit duhet të japin dorëheqje, madje qysh para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
“Po ashtu, edhe dispozitat kushtetuese ndalojnë ushtrimin e funksioneve të papajtueshme me mandatin e deputetit. Mosrespektimi i këtyre dispozitave nuk është çështje teknike apo e interpretimeve procedurale – por një shkelje e qartë e normave që rregullojnë ushtrimin e funksioneve publike në një rend demokratik”, thuhet tutje në reagim.
Gjithashtu, KDI vlerëson se mbyllja e sotme e seancës konstituive nga ana e Kryesuesit të saj, deputetit Avni Dehari, përbën shkelje të rregullores dhe praktikës parlamentare, pasi ajo u ndërpre pa u realizuar votimi për raportin nga Komisioni i Përkohshëm dhe pa u konsumuar asnjë nga pikat e rendit të ditës.
“Një veprim i tillë, që anashkalon procedurat pa vendim formal të Kuvendit, cenon seriozisht legjitimitetin e procesit dhe i shton më tej paqartësitë rreth funksionimit të seancës”, thekson KDI.
Sipas KDI-së, fakti që Kuvendi nuk po arrin të verifikojë mandatet për shkak të këtij ngërçi të krijuar nga mungesa e dorëheqjeve formale tregon për një mungesë të vullnetit për të respektuar ligjin dhe për të lejuar funksionimin normal të institucioneve.
“Ky veprim, apo më saktë mosveprim, nga ana e anëtarëve të Qeverisë në detyrë, po e kthen një procedurë standarde dhe të thjeshtë – në një krizë të panevojshme politike dhe institucionale”, thekson KDI.
KDI u bën thirrje kryeministrit dhe ministrave në detyrë që kanë fituar mandate si deputetë që të respektojnë detyrimin e qartë ligjor për dorëheqje formale nga pozitat ekzekutive, në mënyrë që të mundësohet përfundimi i seancës konstituive të Kuvendit.
“Institucionet nuk mund të konstituohen duke anashkaluar ligjin. Çdo zvarritje e mëtejshme është papërgjegjësi politike dhe cenon besimin e qytetarëve në procesin demokratik”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Njësia Speciale “zbarkon” në Skenderaj
Hashim Thaçi me mesazh për politikanët: Egoja në politikë të...
Zyrtare: Carlo Ancelotti në krye të Brazilit deri në vitin 2...
Amerikanët kapën tre ton kokainë me vlerë rreth 40 milionë e...
Hashim Thaçi rrëfen takimin emocional me Adem Demaçin para p...
Hashim Thaçi nga paraburgimi: Kosova më pro-amerikane në bot...