Eugen Cakolli, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në konferencë për media vlerëson se organizimi i dëgjimit me urgjencë ,,sot për nesër,, është jashtë rregullave të përcaktuara për dëgjime publike legjislative, dhe kështu e kufizon mundësinë për pjesëmarrje qytetare, OJQ-ve dhe të gjitha palëve për të dhënë kontribut, që ky projektligj të jetë kushtetues dhe i zbatueshëm në praktikë.
Cakolli tha se pavarësisht qëndrimeve paraprake të të gjitha partive parlamentare për organizimin e një dëgjimi publik gjithëpërfshirës në funksion të shmangies së sërishme të sfidimit të tij në Gjykatën Kushtetuese; zhvillimet e fundit në Komisionin parlamentar për Legjislacion sipas tij, tregojnë një përshpejtim të panevojshëm të procedurave, përmes vendimeve të marra pa diskutim të plotë dhe pa pjesëmarrje të deputetëve të opozitës.
“KDI thekson se vendimi i Komisionit për Legjislacion – i marrë vetëm me votat e deputetëve të shumicës parlamentare – për të organizuar dëgjimin publik lidhur me Projektligjin për Byronë brenda një afati kaq të shkurtër, bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit. Neni 38(7) i Rregullores parasheh qartazi që dëgjimi publik nuk duhet të mbahet pa kaluar të paktën pesë ditë nga data e caktimit të tij. Kjo dispozitë ka për qëllim të garantojë një kohë të arsyeshme që palët e interesuara, përfshirë OJQ-të, institucionet dhe ekspertët, të japin kontribut përmbajtësor. Organizimi i dëgjimit brenda një afati më pak se 24 orësh, e pamundëson praktikisht një organizim të mirëfilltë të dëgjimit, duke kufizuar ndjeshëm pjesëmarrjen dhe kontributin e akterëve relevant”, tha ai.
Për më tepër, KDI rikujton që Kuvendi nuk ka mbështetur shmangien e shqyrtimit të projektligjit në afate të përshpejtuara, pikërisht për shkak të historikut të zvarritjes së këtij projektligji.
Andaj, ata konsiderojnë që asnjë rrethanë të tanishme, sado urgjente, “nuk arsyetohet shkelja e procedurave parlamentare dhe afateve të përcaktuara në Rregullore, që kufizojnë standardet minimale për organizimin e një dëgjimi publik”.
Ai gjithashtu përmendi qasjen e deputetëve të pozitës.
“Për më keq, qasja e deputetëve të pozitës, e shpërfaqur gjatë diskutimit të sotëm, duke anashkaluar asistencën e KDI-së për organizimin e dëgjimit publik, jo vetëm që kufizon ndjeshëm bashkëpunimin tonë, por edhe përçon mesazh negativ për përfshirjen e shoqërisë civile në procese vendimmarrëse. Përvoja e mëhershme tregon se bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit, e posaçërisht Komisionit për Legjislacion, dhe organizatave të shoqërisë civile ka qenë pjesë e praktikës dhe ka shtuar vlerë në procese të tilla”, thekson tutje Cakolli.
“Në një fazë kur po trajtohet një projektligji me ndikim të drejtpërdrejtë në luftimin e korrupsionit dhe që prek të drejta kushtetuese, mënyra se si zhvillohet procesi ligjvënës ka po aq rëndësi sa edhe përmbajtja e tij. Një praktikë e tillë e organizimit të përshpejtuar të dëgjimeve publike, rrezikon t’i kthejë ato në formalitet, që mund të cenojë cilësinë e ligjeve dhe zbatueshmërinë e tyre”, shton ai.
KDI ka ftuar Kuvendin, përkatësisht deputetët e shumicës parlamentare, që të respektojnë standardet e përcaktuara në Rregullore dhe të sigurojnë një proces të hapur, të barabartë, gjithëpërfshirës, që garanton mundësi reale për kontribut nga të gjitha palët e interesuara.
Abdixhiku për rikthimin e Osmanit: Po bashkohemi, s’ka që e ...
Trump thotë se s’do ta zgjasë armëpushimin me Iranin
Çitaku: Nuk do ta kisha besuar kurrë se në Kuvend do të kërk...
Haxhiu distancohet nga deklarata e deputetit Geci
Tragjike: Dyshohet për dy të vrarë në Memaliaj
Pezullohet udhëtimi i Zëvendëspresidentit Vance, negociatat...