Kastrati: Kurti menaxhoi në formë amatoreske situatën, në veri tani funksionon ligji i anarkisë

21:19 | 10 Nëntor 2022
E.H

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati përmes një postimi në Facebook, është shprehur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke bërë një menaxhimin amatoresk të situatës në Veri dhe keq-lexim të zhvillimeve gjeopolitike.

“Është e qartë se Vuçiçi ka pasur skenar për destabilizim të Veriut. Mirëpo, defunksionalizimi i sistemit tonë unik juridik dhe shërbimit policor në Veri është pasojë edhe e menaxhimit amatoresk të situatës nga Kurti dhe keq-leximit të zhvillimeve gjeopolitike nga ai e qeveria e tij. Injorimi i Kurtit që u bëri këshillave të SHBA-së dhe insistimi për targat solli reagimin e serbëve me sfidim të legalitetit dhe sovranitetit tonë në Veri. Sot Veriu është rikthyer në pikën zero sikur para 20 viteve. Pa institucione funksionale të Republikës së Kosovës, atje tani funksionon ligji i anarkisë. Ndërsa, kërcënimi për sigurinë është permanent.”, ka shkruar deputeti i PDK-së.

Kastrati ka theksuar se është më e rëndësi se si aleatët tanë e vlerësojnë sidomos situatën e sigurisë dhe jo se si këtë situatë e shohin Kurti, Albulena e Sveçla.

Sipas tij, zgjidhja e këtij problemi është që kryeministri të heq dorë nga “strategjia e tij kryeneçe”. Si dhe gjetja e një kornizë më të re strategjike dhe jo fokusi te targat apo sulmet e ulëta mes nesh e me aleatët.

“Tani na duhet një kornizë më e re strategjike dhe jo fokusi te targat apo sulmet e ulëta mes nesh e me aleatët. Jo pse targat sjanë me rëndësi, por p.sh. a e kemi shtrirë më shumë sovranitetin përmes organizimit të zgjedhjeve në të kaluarën në Veri, betimit të atyre kryetarëve të komunave, policëve e gjyqtarëve në Kushtetutën e Kosovës apo përmes targave! Duke marrë parasysh se çfarë po ndodh në terren secili prej nesh duhet marrë pergjegjesinë për ti kontribuar stabilitetit. SHBA e BE duan integrim të Kosovës në BE e NATO. Nënkuptohet që kjo arrihet vetëm kur rajoni është stabil.”, ka shtuar Kastrati./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme