Google ADS

Kallas nga veriu i Kosovës: Njëra palë thotë një gjë, pala tjetër një gjë tjetër, ndërkombëtarët e japin pasqyrën e saktë

13:26 | 23 Maj 2025
E.K

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, gjatë një vizite në veri të Kosovës, ka theksuar rëndësinë e pranishmërisë ndërkombëtare për të pasur një kuptim të qartë dhe të ekuilibruar të situatës në këtë rajon të ndjeshëm.

“Së pari, është e rëndësishme të jemi këtu në veri të Kosovës, sepse ka shumë rrëfime të ndryshme. Është thelbësore të shohim nga afër se çfarë ndodh në terren dhe çfarë thonë qytetarët,” deklaroi Kallas, duke nënvizuar se gjatë vizitës së saj ka parë nga afër gjykatën dhe shkollat lokale.

Ajo tha se gjykata aktualisht është funksionale, por sfidë mbetet kthimi i gjyqtarëve serbë, që është një element kyç për funksionimin e plotë të sistemit gjyqësor në atë pjesë të Kosovës.

Kallas u takua gjithashtu me komandantin e KFOR-it dhe përfaqësues të EULEX-it, për të marrë, siç tha, “një pamje sa më objektive të realitetit në terren.”

“Njëra palë thotë një gjë, pala tjetër diçka tjetër. Por forcat ndërkombëtare që janë të pranishme këtu, ndihmojnë në krijimin e një pasqyre më të saktë dhe të ekuilibruar të situatës,” tha Kallas, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me komunitetin lokal dhe dëgjimit të përvojave të tyre, shkruan kosovonline.

Në fund të vizitës, ajo deklaroi se synimi i saj dhe i Bashkimit Evropian është që, mbi bazën e informacionit të marrë nga terreni, të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës.