Joseph: Nxitja e rrugës së Kosovës drejt NATO-s do të detyronte Serbinë të pranonte realitetin

09:27 | 19 Mars 2026
E.G

Ish-zyrtari i lartë i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Edward P. Joseph, ka shpjeguar se si mund të detyrohet Serbia të përballet me realitetin në Ballkanin Perëndimor.

Eksperti amerikan nënvizoi se për Serbinë nuk ka alternativë tjetër përveç Bashkimit Evropian, pasi “Serbia nuk mund të bëhet Bjellorusia e Evropës”.

“Kam argumentuar se SHBA-ja, BE-ja dhe veçanërisht NATO duhet të përdorin ndikimin e tyre për ta detyruar Beogradin të marrë një vendim të qartë. Kam shkruar gjithashtu se nxitja e rrugës së Kosovës drejt NATO-s do të detyronte Serbinë të pranonte realitetin”, tha Joseph, shkruan Telegrafi.

I pyetur për propozimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë në BE pa të drejtën e vetos, Joseph e përshkroi këtë si një “kal i Trojës”, që mund të shkaktojë përçarje midis anëtarëve të BE-së lidhur me një mundës të ardhshëm pranimi të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, shkruan berlinerzeitung.

Ai shtoi se në rastin e Beogradit duket se qëllimi është të pengohet përparimi i shpejtë i Malit të Zi drejt BE-së, “ashtu siç Putin e sheh anëtarësimin e Ukrainës në BE si një kërcënim”, sepse për Vuçiçin kjo do të ishte “poshtërim dhe humbje strategjike”.

“Si Putini, edhe Vuçiç do të duhej t’i bënte vetes pyetjen e pakëndshme: pse Mali i Zi, me një orientim të qartë pro-perëndimor, po përparon, ndërsa Serbia mbetet pas? Kjo gjithashtu zbulon çmimin e balancimit që Vuçiç luan mes katër shtyllave të politikës së jashtme,” përfundoi Joseph.

Shpërndaje në rrjete sociale