Jep dorëheqje kryetari i Degës së LDK-së në Kllokot

11:25 | 17 Mars 2021
M. A.

Kryetari i Degës së LDK-së në Kllokot, Hasan Rashiti ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Ai ka thënë se arsyeja e dorëheqjes është rezultati i fundit zgjedhor duke shtuar se në kuadër të reformimit do t’u hap rrugë gjeneratave të reja edhe në këtë degë.

Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit politike, veçanërisht pas rezultatit jo të mirë zgjedhor të LDK-së në nivel vendi e sidomos pas Kuvendit të fundit zgjedhor të LDK-së, ku LDK-ja zgjodhi kryetarin e ri, që paraqet fillimin e ndryshimit dhe të reformimit të LDK-së, duke dashur që ky ndryshim të mos jetë simbolik dhe të mos jetë një blof politik, por me qëllim që procesi reformimit të shtrihet në të gjitha nivelet dhe drejtimet dhe të ketë dinamikën e duhur, paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Degës së LDK-së në Kllokot”, ka thënë ai.

Me këtë akt, Rashiti ka thënë se do që edhe në nivel dege t’u hapë rrugë njerëzve të rinj, ideve dhe energjive të reja.

“Falënderoj, kryesinë e Degës, kryesitë e nëndegëve, bashkëpunëtorët e mi e në veçanti anëtarësinë e LDK-së në Kllokot që për tërë këto vite më përkrahu dhe me besnikëri dhe përkushtim u rreshtua pas platformës dhe programit politik të LDK-së. Besoj që Kuvendi i Degës shumë shpejt dhe në afate statutare do të zgjedh kryetarin e ri dhe organet e reja të Degës së LDK-së”, ka thënë ai.

LDK-ja në zgjedhjet e fundit ka dalë partia e tretë, duke shënuar kështu rezultatin më të dobët në historinë e partisë.

Shpërndaje në rrjete sociale