Janë mbushur sot plot 365 ditë që kur ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave kanë hyrë në grevë. Por, ata nuk e kanë ndërmend të ndalen edhe sikur të vazhdojë me vite të tëra, derisa kërkesat e tyre të realizohen.
Brenda këtij viti ata kanë kaluar shumë vështirësi, duke filluar nga moti shumë i nxehtë, pastaj moti i acartë i cili ka mbizotëruar në këtë dimër, mungesa e ushqimit të mjaftueshëm herë pas here, mungesa e energjisë elektrike, ujit, sëmundjet të cilat u kanë ardhur nga qëndrimi aty, mungesa e barërave e shumë probleme e telashe të tjera.
Më 27 maj të vitit të kaluar, ish-punëtorët e Fabrikës së tubave patën hyrë në grevë për shkak të mos ekzekutimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për kompensimin financiar në vlerë mbi 25 milionë euro.
Edhe pse ish-kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaci, në atë kohë u pat premtuar që kërkesat e tyre do të realizohen, ato vazhdojnë të mbesin ende të papërmbushura. E gjithë kjo po ndodh për shkak se AGP-ja, e cila duhet të bëjë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë, ende nuk e ka të kompletuar bordin.Tani, punëtorët e kësaj Fabrike që një kohë të gjatë janë duke kërkuar krijimin e bordit të AGP-së në mënyrë që procesi i kërkesave të tyre të realizohet më shpejt.
Edhe pse u bë një kohë shumë e gjatë, ata po vazhdojnë t’i mbrojnë të drejtat e tyre, të cilat ua garanton vendimi i Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Kuvendit të Republikës Kosovës, ai i Qeverisë së vitit 2014, e madje edhe Gjykata e Strasburgut.
Ahmet Sylejmani i cili është anëtar i Këshillit grevist tregon se si ata e kanë kaluar këtë vit, duke shpjeguar se gjatë gjithë kësaj kohe ata janë duke u munduar të lidhin kontakte me dikë të Qeverisë, por që për ta është e paarritshme.
Ai thotë se ata do të vazhdojnë edhe më tej të kërkojnë të drejtat e tyre në këtë mënyrë, përmes grevës, por në momentin që nuk bëhet një gjë e tillë, ai ka paralajmëruar se do të shumëfishohet numri i grevistëve.
Danush Rashiti, një tjetër grevist, thotë se po qe nevoja grevat do të vazhdojnë edhe për vite të tjera, por ata nuk do të lëshojnë pe.
Greva e ish-punëtorëve të fabrikës së tubave llogaritet si greva më e gjatë që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. E, në botë greva më e gjatë llogaritet të jetë ajo e shkollës së Brustonit në Britaninë e Madhe, e cila ka zgjatur plot 25 vite, duke filluar në vitin 1914 për të përfunduar në vitin 1939.
14 emigrantë të vdekur në Greqi pas përplasjes mes dy anijev...
82 vjet nga Maskara e Tiranës
Osmani: Sa më shumë gra në tryezë, aq më shpejt vjen paqja
“Nata e tmerrit”/ Mitrovica përkujton 26-vjetorin e spastrim...
Pas vendimit të PZAP-së, analistët paralajmërojnë zgjedhje t...
Parashikimi i motit për sot