Google ADS

Intervistë me deputetin e Vetëvendosjes, Dimal Basha, i “thurë” lave Qeverisë Kurti

11:06 | 28 Janar 2023
A. B.

Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka numëruar arsyet që, sipas tij, tregojnë se “Qeveria Kurti” mund të krenohet që ka luftuar krimin dhe korrupsionin për këto dy vjet qeverisje, ashtu siç kishte premtuar në fushatën  zgjedhore.

Madje sipas tij, edhe faktorët ndërkombëtar e kanë vërejtur këtë.

Në një intervistë për arbresh.info, Basha vlerëson se “Qeveria Kurti” për një send që ka marr merita si nga qytetarët, por edhe nga raportet ndërkombëtare, edhe prej ambasadorëve dhe faktorëve të ndryshëm ndërkombëtar, sipas tij, është se e ka përkushtimin për ta luftuar krimin dhe korrupsionin.

“Unë mendoj vet fakti që ka pasur 3000 arrestime, e 10 për qind e tyre, pra mbi 300 janë zyrtarë publik, tregon se ne e kemi seriozisht luftimin e krimit dhe korrupsionit. Gjithashtu ka pasur diku rreth 14 rrugë ilegale që janë mbyll në veriun e vendit për me ndal krimin dhe korrupsionin atje. Kemi pasur gjithashtu shkatërrim të laboratorëve të drogës, shkatërrim të hapësirave ku janë përdorur për kriptovalutë, ku e kanë keqpërdor edhe rrymën. Gjithashtu vazhdojmë me reflektu gjithë këto punë të mira në raportet e ndryshme ndërkombëtare, ku tregon që për krim e korrupsion, Kosova është ngritur për 17 vende”, shprehet Basha për “Arbresh.info”.

Po ashtu, deputeti i Vetëvendosjes, përmend një deklaratë të ambasadorit të Gjermanisë, që sipas tij, tregon se tash investitorëve të huaj, së paku asnjë qeveritar nuk u kërkon haraq për investime në Kosovë.

Sipas tij, edhe kancelari austriak kur e përmendi që puna që është bërë e Qeverisë Kurti iu ka nënshtruar një testi të jashtëzakonshëm.

Ai thotë se puna e kësaj qeverie në raport me luftimin e krimit dhe korrupsionit, do të shpërblehet me liberalizimin e vizave, proces ky që sipas tij do përfundojë shumë shpejt.

“Mendoj se kjo është shenjë e mirë dhe krejt këto informata pastaj shkojnë jashtë vendit dhe po mendoj se kurorëzimi i punës së mirë dhe përkushtimi i luftës së korrupsionit po kurorëzohet me liberalizimin e vizave. Kemi pasur vizita, që pastaj besoj pasi të përfundoj procesi me dal me shpjeguar për punën e lodhshme që është bërë për ta luftuar krimin dhe korrupsionin dhe me ua dëshmu ndërkombëtarëve që e kemi seriozisht dhe kjo po kurorëzohet me procesin e liberalizimit të vizave që po shpresoj të përfundoj së shpejti”, pohon Basha për “Arbresh.info”.

Basha: Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar më së largu në shkurt do të kurorëzohet me votimin në Kuvend

Deputeti i VV-së, që është edhe anëtar i Komisionit për Legjislacion, ka treguar arsyet zvarritjes së Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar.

“Ky ligj është i një rëndësie të veçantë dhe ka qenë premtim elektoral i joni, ka marr pak kohë të gjatë, pasi është dashur të dërgohet në Komisioni i Venecias tri herë dhe kjo për arsye të shëndosha, pasi ne nuk po duam të bëjmë ligje që bien ndesh me norma ndërkombëtare. Së  fundmi ka pasur një kritikë nga opozita për shkak të rekomandimeve të ndryshme që na u patën ofruar nga Komisioni i Venecias. Ne i kemi bërë ato amendamentime, e kemi dërguar pas amendamentimeve në Komisionin e Venecias dhe tani ka ardhur raporti se e kemi marr dritën e gjelbër”, tregoi Basha.

Ai është i bindur se ky projektligj, që sipas tij, ka kaluar edhe në Komisionin për Legjislacion, do të kalojë edhe në komisione të tjera dhe do të jetë i gatshëm së shpejti të dërgohet në seancë për votim dhe Kosova sipas tij, përfundimisht ta votojë ligjin dhe ta ketë Agjencionin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Basha tregon nëse ka datë të saktë se kur do të dërgohet ky projektligj në seancën plenare për votim në Kuvend.

“Meqenëse ka kaluar në komisionin tonë, besoj nëse nuk gaboj janë edhe dy komisione funksionale që duhet ta miratojnë, mirëpo më së largu besoj se në muajin shkurt besoj se do të kurorëzohet me votimin në Kuvend”, shprehet deputeti i VV-së.

Basha: AKI  do t’i shtojë kapacitetet

Deputeti i partisë në pushtet, që është po ashtu anëtarë i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka arsyetuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti rreth informacioneve për gjendjen në veri.

“Unë mendoj se kjo deklaratë është nxjerr prej konteksti, Kryeministri nuk ka thënë se AKI informon ambasadën para meje, AKI-ja me ligj është i obliguar mi raportu Presidentes dhe Kryeministrit dhe e bën këtë në baza ditore.  Kurse, çfarë ka thënë Kryeministri është se” Po SHBA-të kanë informacione për Kosovë ndoshta më shumë se ne, dhe kjo është normale. Amerika është shteti i parë më i fuqishmi në botë, ku nëntë ushtritë që janë prej të dytit deri te i dhjeti, kanë më pak buxhet se që ka vetë Amerika. Prandaj është krejt normale që Amerika me pas më shumë informacion se Kryeministri, por nuk ka thënë që shefi i AKI-së i raporton ambasadës para neve”, shprehet Basha.

Basha thotë se buxheti për AKI këtë vit është rritur për mbi 2 milionë euro, që sipas tij, edhe kapacitetet do të rriten, sepse do të ketë rekrutime të reja, avancim të stafit, blerje të pajisjeve./Arbresh.info/Pleurat Salihu/

Shpërndaje në rrjete sociale