Sot, Instituti GAP publikoi analizën e shkurtër “Paraqitja jo e saktë e realizimit të investimeve kapitale të komunave: implikimet në transparencë dhe monitorim”, e cila ngre shqetësimin se shpenzimet kapitale të komunave nuk po pasqyrohen saktë në raportet financiare të Thesarit të Kosovës.
Marrë parasysh rritjen drastike të pagesave për obligime gjyqësore dhe përmbarimore në komunat e Kosovës, të cilat burojnë kryesisht nga obligimet që rrjedhin nga kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi, GAP thekson se në shumë raste Thesari i Kosovës ka ekzekutuar këto pagesa nga të gjitha linjat buxhetore ku ka mjete në dispozicion, përfshirë edhe atë të investimeve kapitale.
GAP thekson se problemi qëndron në faktin se këto mjete po paraqiten në raportet financiare si shpenzime për vetë investimet kapitale, duke shtrembëruar nivelin real të realizimit të projekteve publike dhe duke pamundësuar monitorimin e saktë të punëve të komunave.
Instituti GAP rekomandon që raportet financiare të Thesarit të përditësohen me kategori të reja që tregojnë saktë shkallën e shpenzimit sipas qëllimit dhe të dallojnë shpenzimet reale për projekte nga pagesat përmbarimore.
“Gjithashtu, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal duhet të rishqyrtojë kriteret minimale në kuadër të rregullave të Grantit të Performancës. Kjo, sepse shumë komuna po diskualifikohen nga përfshirja në Grant për shkak të opinionit jo të favorshëm të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për raportet e tyre financiare, opinion i cili rrjedh kryesisht nga shpenzimet që lidhen me obligimet përmbarimore që burojnë nga kontratat kolektive dhe shtesat e pagave, ndonëse komunat nuk i kanë hartuar ligjet apo kontratat nga të cilat burojnë këto obligime. Konkretisht, nga viti 2024, kriteret minimale nuk po arrijnë të reflektojnë qëllimin thelbësor të Grantit, mbështetjen e komunave me performancë më të mirë, pasi në praktikë ato po favorizojnë vetëm komunat me më pak raste përmbarimore që lidhen me kontratat kolektive”, thuhet në analizë./Arbresh.info
Analizën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.
Moti sot kryesisht i vranët, herë pas here priten edhe reshj...
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski
Buna nën dritën e hënës, Rama ndan imazhe mahnitëse të lumit
SHBA këshillon qytetarët e saj të largohen nga Venezuela “me...