IKShPK apelon për kujdes nga temperaturat e larta: Mos i lini fëmijët vetëm në veturë, kontrolloni të moshuarit

18:00 | 2 Gusht 2026
E H

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke u bërë apel qytetarëve që të mbrojnë grupet më të rrezikuara nga efektet e vapës.

Në njoftimin e publikuar, IKShPK u rekomandon qytetarëve që t’u kushtojnë vëmendje të veçantë të moshuarve, veçanërisht atyre që jetojnë vetëm ose janë të izoluar, duke i kontaktuar rregullisht për t’u siguruar se janë në gjendje të mirë.

Instituti ka rikujtuar gjithashtu se fëmijët nuk duhet të lihen asnjëherë vetëm në automjete të parkuara, pasi temperaturat brenda veturës mund të rriten brenda pak minutash dhe të rrezikojnë seriozisht jetën e tyre.

Po ashtu, qytetarët janë këshilluar të njohin shenjat e goditjes nga nxehtësia. Sipas IKShPK-së, simptoma si marramendja, të përzierat, konfuzioni dhe djersitja e tepërt kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe ndihmë mjekësore.

Autoritetet shëndetësore rekomandojnë shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, konsumimin e mjaftueshëm të ujit dhe kujdes të veçantë për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Shpërndaje në rrjete sociale