“Ia dhashë 28 dhjetorin për zgjedhje”, Kurti i kundërpërgjigjet Osmanit: Nuk kanë mundur të mbahen në datë tjetër

14:04 | 13 Mars 2026
E.K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur për deklaratën e presidentes Vjosa Osmani lidhur me datën 28 dhjetor, kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Osmani gjatë kësaj jave, në një intervistë, kishte reaguar ndaj kritikave për këtë datë duke thënë: “A ia paskam organizuar unë pas shtatorit puçin zotrit Kurtit duke ia dhënë datën 28 dhjetor…”, duke folur për acarimin e marrëdhënieve me kryeministrin, i cili nuk e kandidoi atë për një mandat të dytë në postin e presidentes.

Kurti deklaroi se 28 dhjetori ishte alternativa e vetme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi sipas tij ato nuk mund të organizoheshin më 21 dhjetor për shkak të sfidave teknike dhe logjistike.

“Zgjedhjet janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme, nuk ka qenë e mundur që të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga Sekretariati i KQZ-së që thotë se e kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për përmbushur afatet kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike. Prandaj nuk ka pasur mundësi tjetër për datë, përveçse 28 dhjetor. Nëse dikush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 4 janar, as kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor”, tha Kurti para gazetarëve.