I kërkonte viktimave para për të fshirë postimet denigruese – Ja çfarë thotë aktakuza për “Liderin” e Albkings

11:31 | 27 Mars 2025
E.K

Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti i Përgjithshëm Divizioni Penal, shpalli aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarit Florent Poroshtica i cili u shpall fajtor për veprat penale të “Vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve” dhe “Shantazhit”.

I akuzuari Florent Poroshtica është dënuar me një dënim me burgim prej një (1) viti dhe nëntë (9) muajsh, dënim i cili do të ekzekutohet brenda 15 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Gjithashtu, koha që ka kaluar nën masat e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak do të llogaritet në këtë dënim.

Pavarësisht dënimit me burg, F.P. është dënuar gjithashtu me gjobë prej pesëmijë (5000) euro, të cilën është i obliguar ta paguajë brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në lidhje me provat materiale, është konfiskuar telefoni “Techno Park”, i cili është prona e të akuzuarit, dhe është kthyer telefoni “Samsung” i dëmtuar, i cili ishte sekuestruar sipas urdhrit ndalues të datës 01.07.2024.

Sipas aktakuzës, Florent Poroshtica ka kryer veprat e tij nga shkurt 2023 deri në maj 2024, në Gjilan, përmes telefonit të tij personal “Techno Park” dhe si administrator kryesor i grupeve “Albkings” dhe “Vip Albania” në aplikacionin Telegram, ka shpërndarë pa leje foto dhe video të ndjeshme të 12 viktimave, si dhe të dhëna personale të këtyre të dëmtuarave, duke i ekspozuar ato në grupet e krijuara nga ai.

“I akuzuari F.P. në vazhdimësi nga muaji shkurt i vitit 2023 e deri në muajin maj 2024 në Gjilan, përkatësisht nga banesa e tij përmes telefonit personal “Techno Park” , në cilësi të administratorit kryesor në grupet “Albkings” dhe “Vip Albania” dhe në grupe të tjera, në aplikacionin Telegram, me nofkën “Lideri” e duke vepruar në bashkëkryerje me të pandehurën E. S., me nofkën “Liderja”, me qëllim të denigrimit të viktimave të gjinisë femërore nga qytete të ndryshme të Kosovës, ka shpërndarë dhe ka lejuar shpërndarjen në grup nga ana e personave të tretë (anëtarë të grupit) në grupet e krijuara nga i akuzuari, pa autorizim fotografi dhe video të ndjeshme të 12 viktimave si dhe të dhënat personale siç janë numrat e telefonave, emrat dhe mbiemrat dhe kredencialet e tjera të këtyre të dëmtuarave. Po ashtu, në vazhdimësi nga data 20.02.2024 deri më datë 20.05.2024 në Gjilan, përkatësisht nga banesa e përmes telefonit personal “Techno Park” me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vete, duke shfrytëzuar gjendjen dhe pozitën e rëndë në të cilat janë gjendur viktimat e veprave penale, me qëllim që t’iu fshihen postimet denigruese nga grupi ku janë postuar, i akuzuari F.P. nga viktimat e veprave penale, familjarëve apo shoqërisë së tyre, ka kërkuar mjete monetare në shuma të ndryshme dhe pagesat i ka pranuar në valutën dollarë përmes ‘PayPal’ në formë të kripto valutave – para digjitale, në llogaritë e tij me userat ‘[email protected]’,‘[email protected]’, ‘[email protected]’ dhe ‘[email protected]’, e të cilat më pas i ka konvertuar në para fizike në pikën e ExCoins në Gjilan, me ç’rast ka përfituar vlerën monetare në shumë totale prej 2,344.44”, thuhet në njoftim.

Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Pjesëtari i grupit “Albkings” dënohet me 21 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë