Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, në lidhje me dinarin serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe, janë duke rritur panevojshëm tensione etnike dhe si pasojë ia kufizojnë mundësitë Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur atë në arenën ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara rreth veprimeve të fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ në pjesëtarët e pakicës serbe dhe pakicave të tjera në Kosovë”, tha Hovenier në një komunikatë të shtunën pak para mesnatës.
Në javët e fundit, autoritetet kosovare i mbyllën katër komuna paralele serbe, në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës tha pas mbylljes së tyre se “koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.
Në fund të janarit, Sveçla njoftoi edhe për bastisjen e një organizate joqeveritare serbe e vendosur në një anesk ndërtesës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, për siç tha, veprimtari të jashtëligjshme dhe rrezikim të sigurisë së Kosovës.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale. Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.
Ndërkohë, Hovenier i bëri thirrje Kosovës përsëri ta shtyjë zbatimin e një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në pagesa me para ta gatshme, derisa të vendoset një procedurë e kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa njerëzit të njoftohen mirë për mënyrën se si do t’i marrin beneficionet.
Rregullorja e BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht trynisë së madhe nga bashkësia ndërkombëtare për ta shtyrë zbatimin e saj.
Hovenier shprehu shqetësimin e tij për, siç tha, “konfiskimin e dinarëve serbë dhe një automjeti që po i transportonte ato nga Serbia për pagesa sociale” nga Policia e Kosovës të shtunën.
“Ne shpresojmë se autoritetet e Kosovës sigurohen që ato pagesa do të arrijnë pa vonesa te individët tek te cilët ishin nisur ato”, tha ai.
Qeveria e Kosovës thotë se zbatimi i rregullores për transaksionet me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtë dhe se nuk do të ketë gjoba për posedimin e valutave të vendeve të tjera.
Kryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Zlatan Ellek, tha të shtunën se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbim të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.
Duke folur në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut, Ellek theksoi se të gjithë ata që gëzojnë të hyra nga Serbia janë në rrezik dhe se rreth 100 mijë serbë në Kosovë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i autoriteteve kosovare për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb.
“Kjo vlen për të gjitha institucionet që funksionojnë në sistemin serb, pensionistët, përfituesit e përfitimeve sociale, studentët, bursistët. Pra, i gjithë populli serb”, tha Eleku.
Ambasadori amerikan e përsëriti thirrjen që Kosova t’i zgjidhë çështjet në lidhje me strukturat e mbështetura nga Serbia në bisedime me Serbinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian./rel
Gjashtë ndryshime të Kampionatit Botëror të vitit 2026
Mbi 1,000 makina të djegura në natën e Vitit të Ri, të paktë...
Nga sot nis numërimi i votave me postë
Sot mbahet Akademi Përkujtimore për Nexhat Dacin në Kuvendin...
Moti sot në Shqipëri me vranësira të dendura dhe shira në të...
Europa solidarizohet me Zvicrën pas tragjedisë, Von der Leye...