Haziri: Qeveria Kurti e ka pranuar në “derë të vogël” mini-shengenin

22:19 | 26 Maj 2021
Gita

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se Qeveria Kurti e ka pranuar mini-shengenin në “derë të vogël”.

Haziri tha në Rubikon se kjo është bërë në kuadër të mekanizmit të Berlinit.

Numri dy i LDK-së theksoi se takimi i 2 shtatorit në Washington e ka zbutur edhe qëndrimin e partisë që ai përfaqëson, pasi sipas tij LDK, në fillim ka pasur qëndrim refuzues ndaj mini-shengenit.

“Me vendim të qeverisë kemi edhe një ndryshim të ri. Një ndryshim të politikave. Kemi legalizimin dhe pranimin në “derë të vogël” të mini-shengenit. Është miratuar me sponsorim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është bërë liria e qarkullimit dhe nënshkrimi i dokumentit të marrëveshjes me të gjitha shtetet në Ballkanin Perëndimor është në kuadër të mekanizimit të Berlinit, por që është kundërshtuar ashpër mini-shengeni”.

Është quajtur “Jugosllavi e vogël”, është quajtur “Jugosllavi e ringjallur”. Por, edhe takimi i 2 shtatorit në Shtëpi të Bardhë, e ka konfirmuar nevojën e mini-shengenit dhe e ka zbutur edhe LDK-në time, e cila ka pasur qëndrim fillimisht refuzues por që e ka pranuar në ndërkohë si një mekanizëm të bashkëpunimit.

“Me vet faktin që është njëra prej angazhimeve të përbashkëta është konfirmuar në Prishtinë. Është konfirmuar në Republikën tonë. Është vendim qeveritar”.