Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj deklaraëts së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili tha se KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës.
Me anë të një postimi në Facebook, Haxhiu tha se marrja e kontrollit të veriut nga KFOR-i nuk është e nevojshme, shkruan Arbresh.info.
Sipas saj, ajo çka nevojitet janë patrullimet e përbashkëta mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-it përgjatë kufirit me Serbinë, “sepse prej andej vjen armatimi, municioni dhe mercenarët që duan luftë.”
“Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane. Mbikqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ka përfunduar më 10 shtator 2012. Në veri të Kosovës, terroristët dhe kriminelët nga Serbia vranë rreshterin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në pritë në ora 3 pasmesnate të dielen që shkoi. Gjatë luftimeve të mëpastajme, ata nuk kishin kurrfarë shansi me Policinë e Kosovës. Së paku tre terroristë u vranë, kurse të tjerët ose janë arrestuar (gjashtë sosh) ose janë në ndjekje (sepse janë në ikje). Nuk ka nevojë që KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Ajo që nevojitet janë patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës me KFOR-in përgjatë kufirit me Serbinë, sepse prej andej vjen armatimi, municioni dhe mercenarët që duan luftë.”, u shpreh Haxhiu.
Tutje ministrja Haxhiu tha se Policia e Kosovës në koordinim me KFOR-in do t’i zmbrapsin qëllimet për destabilizim të Kosovës “të gatuara” në Moskë e Beograd.
“Republika e Kosovës dhe NATO janë partnerë strategjik dhe i shërbejnë të njëjtit qëllim e botëkuptim të sigurisë së demokracive. KFOR-i dhe Policia e Republikës natyrshëm janë një familje dhe bashkërisht e në koordinim do i zmbrapsin qëllimet për destabilizim të Republikës sonë të gatuara në Moskë e Beograd.”
Ndër të tjera, ajo ka falënderuar Shqipërinë dhe shqiptarët për mbështetje dhe solidaritet.
Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për sulmet në veri tha se KFOR-i duhet të marrë kontroll veriun e Kosovës, duke thënë se këtë propozim e ka dhënë edhe në samitin e NATO-s.
“KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun. Çdo hezitim dhe vonesë dhe me argumentin e orëve të fundit se kemi apo jo trupa mund ta bëjë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa dhe vështirësi. Prandaj jam këtu sot dhe më vjen mirë që këtë e kërkon edhe Kosova KFOR-in në veri”, ka thënë kryeministri shqiptar, Edi Rama./Arbresh.info
Aksion antidrogë në Ferizaj, arrestohen dy persona
“Shqipëria nuk ka frikë nga kërcënimet”| Rama flet për Trump...
Policia në Ferizaj shton kontrollet në trafik, shqiptohen 19...
Dy raste me mjete të dyshuara shpërthyese në Gjakovë, njëra ...
Punëtori lëndohet pasi bie nga një lartësi në Han të Elezit
Gjenden mbetje eshtërore në Rahovec, dyshohet për një person...