Haxhi Avdyli dorëhiqet nga Guxo pas sulmeve ndaj Vjosa Osmanit

13:38 | 9 Mars 2026
E.H

Deputeti nga Guxo, pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në partinë e tij, duke e lidhur vendimin me atë që ai e quan fushatë linçimi dhe urrejtjeje ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Avdyli ka theksuar se vendimi vjen pas një fushate të ashpër dhe të paskrupullt, që përfshinte sulme ndaj Presidentes Vjosa Osmani, përfshirë edhe linçime publike dhe kërcënime, madje edhe ndaj fëmijëve të saj. Ai e ka cilësuar këtë fushatë si një politikë të dehumanizimit dhe manipulimeve me inteligjencë artificiale që nxisin urrejtje të pakontrollueshme për qëllime elektorale.

Avdyli ka shtuar se kjo situatë e ka prekur personalisht, duke theksuar se si njeri që promovon paqen, dialogun dhe respektin edhe me kundërshtarët politikë, nuk mund të heshtë përballë një fushate të tillë.

Ai ka kujtuar se qëndrimin e tij për procesin politik të fundit e kishte shprehur publikisht edhe në mbledhjet e grupit parlamentar të VV-së dhe në kryesi të Guxo, duke shprehur mospajtim me orientimin e shumicës së grupit politik.

“Prandaj, në shenjë proteste dhe për të mos identifikuar veten me këtë fushatë të ulët, kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo.”

Avdyli i bëri apel kolegëve dhe publikut që të ndalojnë gjuhën e urrejtjes dhe dhunës, duke theksuar se rrugët politike mund të ndahen apo bashkohen, por njerzillëkun brenda nuk duhet ta vrasim.

Shpërndaje në rrjete sociale