Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur.
Në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Forcës së Sigurisë, Rrustem Berisha, propozoi ndryshimin e tri ligjeve për FSK-në. Tri ligjet e propozuara nga ai, janë miratuar në Qeveri pa asnjë votë kundër, por në mbledhje nuk ishin të pranishëm ministrat serbë, raporton KTV.
Me këto projektligje, sipas tij, FSK-ja merr detyra të reja dhe Ministria e FSK-së avancohet në Ministri të Mbrojtjes, derisa emri pritet të ndryshohet pas ndryshimit të rrethanave politike.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ka ardhur momenti që Kosova ta ketë ushtrinë e vet, dhe sipas tij, askush nuk do të befasohet për këtë, as NATO e as shtetet mike.
Haradinaj nuk ka treguar nëse ka marrë bekimin e tyre për këtë formë të formimit të ushtrisë duke theksuar se disa vendime i takojnë ekskluzivisht Kosovës.
Ai ka thënë se nuk ka mundur të mos jetë i informuar presidenti Thaçi për këtë iniciativë.
Njeriu që kishte dështuar ta bëjë FSK-në ushtri nëpërmjet ligjit, por i kishte rënë pishman 30 ditë pasi kishte iniciuar një gjë të tillë, presidenti Hashim Thaçi e ka quajtur hap të gabuar kalimin e ligjeve që i japin mandat ushtarak FSK-së.
Madje, ai ka thënë se për një gjë të tillë nuk ka qenë i njoftuar.
Por, Haradinaj ka thënë se ne jemi vend i vogël dhe nuk beson që për një iniciativë të tillë, nuk është njoftuar presidenti.
Sipas projektligjit, i cili në fakt është hartuar që më 2014, FSK-ja do të rrisë numrin e pjesëtarëve të saj nga 2500 sa ka aktualisht, në 5 mijë, dhe ajo do të jetë përgjegjëse për ruajtjen e territorit, integriteti dhe sovranitetit të saj.
Presidenti Hashim Thaçi më vonë ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se e përkrah transformimin e FSK-së në formën siç e ka proceduar qeveria. Ai ka shkruar se Ushtria e Kosovës nuk është kërcenim për rajonin por do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes. “Jam i bindur se në koordinim të plotë me aleatët, do ta përmbyllim këtë proces të vonuar,” ka shkruar Thaçi.
Ndërkohë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar pas miratimit në Qeveri të projektligjit për transformimin e FSK-së në ushtri. Kjo ambasadë thotë se nuk janë këshilluar për këtë hap nga institucionet e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë e kanë mbështetur të drejtën sovrane të Kosovës për ushtri dhe kanë punuar ngushtë me Kosovën rreth mënyrës për ta arritur këtë. Ne kemi këshilluar një qasje të matur që e mban Kosovën në përputhje me aleatët tanë në NATO për këtë hap të rëndësishëm. Nuk jemi këshilluar për çastin e këtij lajmërimi dhe do të na duhet t’i analizojmë projektligjet për ta kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre”, thuhet në reagim. Aty theksohet se përpjekjet e tyre në këtë kohë kanë qenë të përqendruara në ndërtimin e konsensusit të brendshëm për dialogun me Serbinë. “Vazhdojmë të besojmë se normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është hapi më i rëndësishëm për përparim në të ardhmen e afërt”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ambasadës.
Barcelona ka gati të hap një tjetër pjesë të “Spotify ...
Rritet dogana për makinat e përdorura në Shqipëri, tarifat e...
Tre të lënduar nga aksidenti mes dy veturash në Vushtrri
Ushtria izraelite thotë se vrau një anëtar të Forcës Quds të...
Ambasadori francez: Kosovës i duhet qeveri me të cilën mund ...
Drita njofton mbylljen e bashkëpunimit me Derrick Bonsu