Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili mori pjesë në takime të nivelit të lartë në Bruksel, ku u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), Andreoli, dhe me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim dhe Fqinjësi (DG NEAR), Koopman, së bashku me guvernatorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këto takime u diskutua mbi efektet pozitive të Planit të Rritjes në kontekstin e zgjerimit të Zonës së Vetme të Pagesave të Evropës (SEPA), ku edhe Kosova synon anëtarësimin si pjesë e këtij procesi. Gjithashtu, u diskutuan aspekte të tjera operacionale që lidhen me përgatitjet e duhura për zbatimin e tij.
Gjatë paraqitjes së zhvillimeve të fundit dhe aktiviteteve të ndërmarra nga BQK-ja për hartimin e legjislacionit dhe harmonizimin e tij me atë të Bashkimit Evropian, parakusht për një aplikim të suksesshëm, Guvernatori Ismaili informoi se BQK-ja ka bërë përgatitjet e nevojshme. Me këtë rast, edhe njoftoi palët për procesin para-aplikues të Kosovës i cili do të mundësojë shqyrtim paraprak të aspekteve kryesore të përmbushjes se kritereve ligjore dhe rregullative, për të hapur rrugën për aplikimin zyrtar për anëtarësim në SEPA.
“Përfshirja e Kosovës në SEPA pritet të kontribuojë në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit dhe të BE-së, të rrisë efikasitetin e pagesave, të avancojë infrastrukturën e pagesave dhe të ulë kostot e pagesave dhe remitancave. BQK-ja në përputhje me objektivat e saj strategjike është e angazhuar për të përmbyllur me sukses këtë proces dhe shpreh mirënjohje e saj për kontributin e institucioneve vendore, si dhe atyre ndërkombëtare për mbështetjen në këtë proces”, njofton BQK-ja./rtk/

Aksident mes veturës dhe trenit në Prishtinë, një person i l...
Kurti emëron Zef Morinën zëvendësministër të Infrastrukturës...
Shtyhet seanca për buxhetin 2026, opozita kërkon kohë
Murati: Ky është buxhet emergjence, do ta miratojmë një të r...
Edhe në Kuvendin e Maqedonisë propozohet Rezolutë në mbrojtj...
Buxheti 2026, Abdixhiku: Zoti i shpisë Kurti duhet të jetë n...