Gruda: Vetëvendosje ka marrë peng institucionet

17:47 | 27 Prill 2025
E.H

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda ka reaguar pas dështimi të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e akuzuar VV-në se ka marr peng institucionet.

Me anë të një postimi në Facebook, Gruda shkroi se kërkesa që deputetët të votojnë domosdoshmërisht Albulena Haxhiun është krejtësisht e palogjikshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë parlamentare, përcjell Arbresh.info

Postimi i plotë:

Kushtetuta i jep të drejtë partisë më të madhe për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk e detyron askënd ta votojë atë. Nëse do të ishte ndryshe, Kushtetuta do të kishte parashikuar që kryetari të emërohej nga partia më e madhe, pa procedurë votimi. Për më tepër, kërkesa që deputetët të votojnë domosdoshmërisht Albulena Haxhiun është krejtësisht e palogjikshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë parlamentare, sepse deputetët nuk janë noterë të vendimeve të një partie të vetme, ata përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe kanë të drejtë të votojnë sipas bindjes së tyre.

Kjo qasje krejtësisht e pakuptimtë e LVV-së tregon qartë mungesën e respektit që ka kjo parti për Kushtetutën dhe parimet themelore të rendit demokratik. Për LVV-në, Kushtetuta është e dobishme vetëm atëherë kur u shërben interesave të tyre partiake, ndërsa në çdo rast tjetër përpiqen ta interpretojnë ose ta injorojnë sipas tekeve politike. Për partitë populiste siç është LVV, Kushtetuta dhe vullneti i lirë politik i deputetëve nuk janë vlera që duhet mbrojtur, por pengesa që duhen kapërcyer për të realizuar qëllimet e tyre politike. Prandaj, sot Kosova po përballet me bllokada institucionale: një parti ka marrë peng institucionet dhe po tenton të zëvendësojë rendin kushtetues me vullnetin arbitrar të liderit të saj./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale