Grenell i reagon Kurtit: Rrënuat lidhjen e fortë ShBA-Kosovë

16:58 | 27 Maj 2023
Diellza Gashi

Ish-i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Dialog, Richard Grenell, tha se Uashingtoni i mbështet ata që beson se po bëjnë përparim në respektimin e vlerave perëndimore dhe shtoi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkatërroi lidhjet e forta mes Kosovës dhe SHBA-së.

Duke iu përgjigjur komentit të Kurtit për ngjarjet e djeshme në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, Grenell ka thënë në Twitter se është e drejta e të zgjedhurve në zgjedhjet demokratike të marrin detyrën, dhe se Kurti është lideri i parë, veprimet e të cilit janë dënuar si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.

“Megjithatë, ndihma e huaj nuk është një e drejtë. SHBA mbështet ata që ne besojmë se po avancojnë vlerat perëndimore. Ju keni shkatërruar lidhjen e fortë midis SHBA-së dhe Kosovës. Ju jeni lideri i parë i Kosovës që dënoheni si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.” ka thënë Grenell.

Në postim ai ka etiketuar edhe presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, së cilës i ka thënë se “heshtja është shqetësuese”, si dhe ish-kryeministrin Hashim Thaçi, për të cilin tha se “i duhet Kosovës tani”.