Gola në KiE: Kosova me zgjedhje të besueshme dhe demokraci funksionale

16:26 | 20 Prill 2026
E.G

Duke përfaqësuar Kosovën në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, ka deklaruar se Republika e Kosovës ka ndërtuar një sistem zgjedhor të besueshëm, konkurrues dhe gjithnjë e më të konsoliduar.

Gola tha se zgjedhjet në Kosovë gjatë dy dekadave të fundit janë zhvilluar në mënyrë paqësore dhe profesionale, duke mundësuar shprehjen e lirë të vullnetit qytetar në një ambient demokratik.

Sipas tij, këtë vlerësim e konfirmojnë edhe raportet ndërkombëtare, përfshirë Misionin e BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera, të cilat e rendisin Kosovën ndër vendet më të avancuara në Ballkanin Perëndimor për integritet zgjedhor dhe të drejta politike.

Ai theksoi se pavarësisht intensitetit të garës politike, rezultatet zgjedhore në Kosovë pranohen dhe respektohen, duke dëshmuar funksionimin e institucioneve demokratike.

Duke folur për parregullsitë në zgjedhjet e fundit, Gola tha se ato ishin të kufizuara dhe nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar, ndërsa pas procedurave të rinumërimit dhe certifikimit, përbërja e Kuvendit ka mbetur e pandryshuar.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme dhe transparente përmes mekanizmave ligjorë, duke treguar aftësi për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.

Gola u ndal edhe te komunat me shumicë serbe, duke theksuar se sfida kryesore mbetet pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, e ndikuar sipas tij nga bojkotet dhe ndikimi politik i Serbisë përmes Listës Serbe, veçanërisht në zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Megjithatë, ai theksoi se Kosova ka garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike edhe në këto rrethana, duke respektuar standardet evropiane dhe duke siguruar mbikëqyrje institucionale.

Në fund, Gola tha se Kosova duhet të shihet jo vetëm si demokraci e re, por si një demokraci funksionale që ka dëshmuar stabilitet dhe legjitimitet zgjedhor në praktikë.

Kujtojmë se nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola dhe Emilija Rexhepi janë duke përfaqësuar Kosovën në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Sipas njoftimit të Kuvendit, gjatë qëndrimit në Strasburg, Gola dhe Rexhepi do të marrin pjesë në punimet e sesioneve, mbledhjet e komiteteve dhe aktivitetet e tjera në kuadër të Asamblesë./rtk