GLPS-ja kundërshton kandidimin për deputetë të personave që kanë probleme me ligjin

14:30 | 20 Janar 2021

Grupi për Studime Juridike dhe Politike kundërshton çdo përfshirje në listë të kandidatëve për deputetë të personave më aktakuza dhe dënime për vepra penale të korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe vepra të tjera të ndërlidhura që dëmtojnë rëndë besueshmërinë e Kuvendit dhe vendimeve që merren.

Ky reagim ka ardhur vetëm pak minuta pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se 47 kandidatë që garojnë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë probleme me ligjin.

“Po ashtu, GLPS kërkon që përbërja e re e Kuvendit, duhet medoemos që të formoj një grup punues i cili ka si qëllim, bazuar në standarde objektive dhe parime të qarta të vendeve demokratike, të propozoj ndryshimet e nevojshme ligjore (pa përjashtuar edhe ato kushtetuese) që sqarojnë rrethanat ku e drejta për t’u zgjedhur në Kuvendin e Kosovës mund të kufizohet”, thuhet në një reagim të GSJP-së.

Sipas GSJP-së përbërja e re e Kuvendit, duhet të gjej konsensusin për të ndërtuar kufizime mbi kandidatët për deputetë mbi baza të qarta kushtetuese, sidomos duke marrë parasysh vendet demokratike, ku një gjë e tillë parashikohet për individët që janë dënuar për vepra të rënda penale, me vendime me burg efektiv, dhe të cilat për nga natyra përfshijnë elemente të qarta të qëllimit dhe dashjes, sidomos ato që lidhen me korrupsionin, tradhtinë kombëtare, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, krimin e organizuar, vjedhjen, vrasjen, e të ngjashme.

GLPS, ndan mendimin që kjo është mënyra e vetme që të ruhet besueshmërinë e institucioneve dhe garantohet pastërtia e tyre nga persona me të kaluar të pastër kriminale.

GLPS e sheh si thelbësore që partitë politike të reflektojnë mbi këtë thirrje dhe të sigurohen që kandidatët që po i servohen publikut për t’u votuar të gëzojnë kredibilitet, pastërti dhe integritet, e të njëjtat të distancohen nga lista të cilat përfshijnë kandidatë të cilët nuk gëzojnë këto karakteristika shumë të rëndësishme për të ruajtur besimin qytetarë karshi shtetit të Kosovës dhe parlamentit në veçanti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara