Gjykata Supreme refuzon padinë ndaj Ministrisë së Arsimit për mbulesën islame në shkolla

14:26 | 29 Tetor 2025
E.K

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar padinë që ishte dorëzuar kundër Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila kontestonte ndalimin e mbulesës islame në shkolla. Me këtë vendim, Gjykata ka konfirmuar se MASHTI ka kompetencë të plotë ligjore për të përcaktuar rregullat që kanë të bëjnë me uniformën shkollore.

Sipas vendimit të Supremes, rregullat e miratuara nga Ministria – të cilat ndalojnë bartjen e çdo veshjeje tjetër përveç uniformës shkollore – janë në përputhje me ligjin dhe me kompetencën e deleguar ligjore, dhe nuk përbëjnë tejkalim të autorizimeve të dhëna nga ligjdhënësi.

“Gjykata rikujton po ashtu se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në shumë raste është përballur me ankesa që pretendonin se një individ i është nënshtruar trajtimit diskriminues në bazë të fesë apo besimit. Prandaj, Gjykata Supreme vlerëson se ligjdhënësi, në mënyrë të tërthortë por të qartë, ka përcaktuar kufizime të pranueshme në lidhje me veshjen e nxënësve, duke i lënë në kompetencë të ministrisë përkatëse caktimin e këtyre rregullave nëpërmjet akteve nënligjore. Gjykata Supreme çmon se rregullat e miratuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilat ndalojnë bartjen e çdo veshjeje tjetër përveç uniformës shkollore, janë në përputhje me ligjin dhe me kompetencën e deleguar ligjore, dhe si të tilla nuk përbëjnë tejkalim të autorizimeve të dhëna nga ligjdhënësi”, thuhet në njoftim.

“Gjykata Supreme e Kosovës, ka shqyrtuar me kujdes bazën ligjore të aktit nënligjor normativ të kontestuar, përkatësisht Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014, dhe ka vlerësuar se dispozita nga neni 3 paragraf 1, nën paragraf 1.13, gjen mbështetje në Ligjin nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe në Ligjin nr. 04/L-138 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional. Nga këto dispozita rezulton se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka autorizim të qartë ligjor për të përcaktuar rregulla për sjelljen e nxënësve, përfshirë edhe rregullat për veshjen – uniformën. Rrjedhimisht, akti nënligjor është në përputhje me autorizimin e shprehur ligjor të dhënë nga ligjvënësi. Përcaktimi sikurse në aktin e kontestuar, me të cilin ndalohet bartja e uniformës fetare në shkolla, gjen mbështetje në një akt më të lartë ligjor për nga fuqia hierarkike, andaj si i tillë nuk mund të shfuqizohet”.

“Gjykata është kufizuar në arsyetimin e pretendimeve, përkitazi me nenin 55 paragraf 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht për kufizimin e lirisë së besimit dhe fesë, si një ndër të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Gjykata ka vënë në dukje se rregullat lidhur me bartjen e simboleve fetare në institucionet arsimore ndryshojnë nga vendi në vend, duke u bazuar në traditat kombëtare dhe nevojën për mbrojtjen e të drejtave dhe rendit publik./Arbresh.info